07 maj 2010

Benitez tërhiqet, Juvja mendon Mançinin

Rafael Benitez ka bërë një hap mbrapa. Tekniku spanjoll, i cili këto ditë pritet të takohet me presidentin e Liverpulit Martin Brouton, ka ndërmend të refuzojë ofertën e Juventusit. Këto janë zërat që vijnë nga shtypi anglez. Në bazë të gjithçkaje duket se qëndron ndryshimi i drejtuesve të klubit torinez, me kalimin e Andrea Anjelit si president dhe qëllimin e “Zonjës së Vjetër” për t’i ofruar atij vetëm rolin e trajnerit, dhe jo atë të menaxherit, siç bën tek Liverpuli.

Bardhezinjtë janë në fakt një hap larg arritjes së marrëveshjes me drejtuesin e Sampdorias, Bepe Marota, si drejtor i përgjithshëm. Benitez, që tek Liverpuli mund të marrë vetë çdo vendim në lidhje me çështjet sportive dhe në merkato, është skeptik ndaj ofertës së torinezëve, që mund të pakësonte fuqinë e tij në marrjen e vendimeve. Juventusi nga ana e tij është lodhur nga dyshimet e vazhdueshme të Benitezit dhe duket se ka vendosur të heqë dorë. Alternativat për bardhezinjtë janë të shumta dhe të gjitha të vlefshme.

Në vend të parë qëndron tekniku i Sitit, Roberto Mançini. Pavarësisht ringritjes së bukur në Premier Ligë, Mançesteri i tij nuk ka arritur të sigurojë një vend në Champions dhe tekniku italian, sipas shtypit anglez, është drejt largimit. Ndër të tjera tifozët e Sitit nuk e kanë pranuar asnjëherë shkarkimin nga detyra të idhullit të tyre Mark Hjuxhs. Kandidatët e tjerë për të marrë drejtimin e Juves janë ish-tekniku i Kaljarit Alegri, trajneri i Fiorentinës Prandeli dhe Luçiano Spaleti, që aktualisht drejton Zenitin e Shën Petërburgut.