Francezi i Bajernit të Mynihut është dhurata e madhe që presidenti i ri, Andrea Anjeli, dëshiron t’u bëjë tifozëve dhe trajnerit Luixhi Delneri.
Drejtuesit e klubit nga Torino kanë gati planin për të arritur te Riberi, marrëveshja e të cilit me Bajernin përfundon në qershor të vitit të ardhshëm. Lojtarit do t’i bëhet një ofertë për të qenë imazhi i Fiat-it në Francë, që do t’i bashkëngjitet kontratës katër vjeçare me pesë milionë euro në sezon.
Çmimi i sulmuesit arrin në 40 milionë euro, shumë të cilën Juventusi synon ta ulë duke futur në marrëveshje edhe brazilianin Diego, të cilin bavarezët e kërkuan vjet dhe që vazhdojnë ta pëlqejnë ende. Problemi mund të jetë preferenca e vetë futbollistit, që ka deklaruar se nëse lë Gjermaninë, do të shkojë në Spanjë (Reali e ka kërkuar gjithmonë). Aq më tepër që Juventusi nuk do të luajë as në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Nëse pista Riberi nuk realizohet, atëherë në Torino i kanë gati alternativat. David Silva i Valencias është një kandidaturë, ashtu si Milosh Krasiç i CSKA Moskës. Po kështu, qëndron edhe mundësia për Anxhelo Palombon e Sampdorias (vlerësohet 20 milionë euro), për të cilin Juventusi është gati të ofrojë mesfushorin Almiron dhe sulmuesin Xhovinko.