Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) të premten ka marrë vendim që skuadra e Ligës së parë, Fushë-Kosova të përjashtohet nga kjo ligë. Ky klub prej edicionit të ri do të garojë në Ligën e dytë, që në fakt i bie Liga e tretë, pas Superligës dhe Ligës së parë.
Ky komision e ka marrë këtë vendim, pasi më parë Komisioni i Garave i FFK-së kishte hapur procedurë disiplinore ndaj Fushë-Kosovës, e cila dyshohej ta ketë kurdisur ndeshjen ndaj Ulpianës, (1:2).
“Pas administrimit të provave dhe shkresave në lëndën e cekur është marrë vendim që Fushë-Kosova të largohet nga Liga e parë dhe në kampionatin 2010/2011 kjo skuadër do të garojë në Ligën e dytë të Kosovës”, thuhet në një komunikatë të lëshuar për media nga FFK-ja.
Para se Komisioni Disiplinor ta merrte këtë vendim, Komisioni i Garave takimin e kishte regjistruar si të zhvilluar. Mirëpo, pikët e asaj ndeshjeje dhe golaverazhi nuk është regjistruar fare në tabelë.
Komisioni i Garave, duke u bazuar në faktet që kishte mbledhur, kishte konstatuar të ketë pasur parregullsi në ndeshjen Fushë-Kosova – Ulpiana.
“Bazuar në deklaratat e trajnerit të Fushë-Kosovës dhe disa lojtarëve të Fushë-Kosovës, të cilët kanë dëshmuar se pas përfundimit të pjesës së parë të ndeshjes, në zhveshtore kanë hyrë disa anëtarë të Kryesisë dhe kryetari i Fushë-Kosovës dhe kanë kërcënuar se ndeshja duhet të fitohet nga Ulpiana. Gjithashtu, bazuar në incizimet televizive, janë vërejtur qëndrime statike të disa lojtarëve të Fushë-Kosovës gjatë pjesës së dytë”, thuhet në arsyetimin e Komisionit të Garave, në bazë të të cilit ky komision edhe ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj Fushë-Kosovës.
Ndeshja Fushë-Kosova – Ulpiana ishte shumë domethënëse për lipjanasit, të cilëve u nevojitej gjithsesi fitorja në këtë ndeshje, për të shpresuar ende që të mbeten pjesë e Ligës së Parë. Ndërsa, Fushë-Kosovës nuk i nevojitej fitorja, kështu që ndeshja përfundoi 0:2 për lipjanasit.
Përndryshe, kjo është hera e parë në futbollin e pasluftës që vetë akterët e ndeshjes deklarohen se ishin të përfshirë (pa dashje) në një kurdisje të lojës. Në të kaluarën ka pasur shumë dyshime rreth kurdisjeve të mundshme të ndeshjeve, por kjo është hera e parë që FFK-ja reagon si duhet, duke hetuar dhe dënuar.
Hetime ndaj Ulpianës dhe të tjerëve
Me largimin e Fushë-Kosovës nga Liga e parë, nuk ka përfunduar dosja e këtij skandali. Komisioni i Garave i FFK-së ka iniciuar procedurë disiplinore edhe ndaj Ulpianës, e cila në këtë rast dyshohet të jetë palë e interesit prej ngjarjes.
Po ashtu, Komisioni i Garave ka iniciuar procedurë disiplinore edhe ndaj Kryesisë së Fushë-Kosovës, përkatësisht kryetarit të klubit Bashkim Ismajli dhe përfaqësuesit zyrtar të kësaj skuadre, Nysret Rexhepi.
Sa i përket Ulpianës, edhe ky klub në bazë të rregullores mund të dënohet me largim nga Liga apo heqje të pikëve.
Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu thotë se dënimi i shqiptuar ndaj Fushë-Kosovës është hapi i parë. Sipas tij, tani do të nisin hetimet ndaj Ulpianës dhe aktorëve të tjerë të asaj ndeshjeje.
“Për Fushë-Kosovën ka pasur fakte, andaj është marrë vendimi, sepse trajneri i saj dhe lojtarët janë deklaruar. Por, për Ulpianën ende nuk ka dëshmi, sepse lojtarët e saj apo dikush nuk ka deklaruar se ka dhënë mito për ta fituar takimin. Por, hetimet do të vazhdojnë edhe ndaj Ulpianës, por edhe ndaj aktorëve të tjerë”, tha Salihu