Revista gjermane Der Spiegel ka lansuar një fushatë kundër Interit para finales së Ligës së Kampionëve mes Interi dhe Bayern Munichut, duke pohuar se Nerazzurët mund të dënohen me rënie në Serie B për shkak të përfshirjes në Calciopoli.
“Telefonata të shumta, manipulime të arbitrave dhe dyshime mbi Serien A, dhe jo, nuk po flasim për Juventusin. Katër vite pas skandalit në futbollin italian, kur Juventusi ishte dërguar në Serie B dhe iu morën dy Scudetto, Interi rrezikon sot të njëjtin dënim. Nuk ka ditë kur detaje të reja të pista nuk dalin në shesh, të nxitura nga Luciano Moggi që ka vendosur t’i ndërrojë letrat në Napoli”, thotë një pjesë e tekstit disa faqesh në Der Spiegel kushtuar dënimit të mundshëm të Interit.
Përderisa është pothuajse e pamundur që Interi të dënohet me rënie në Serie B, ekspertët e futbollit italian thonë se Der Spiegel është duke i bërë këto përpjekje për të destabilizuar Interin para finales së Ligës së Kampionëve që zhvillohet më 22 maj në Bernabeu.
Aktualisht, situata rreth Calcipolit qëndron kështu: FIGC (Federata Italiane e Futbollit) do të lansojë një hetim special për dëshmitë e publikuara në gjykatën e Napolit dhe pas këtij lajmi po mendohet se Interit mund t’i merret Scuettoja e vitit 2006, por kjo mundësi ende mbetet e pakonfirmuar.