Dëshmitari i radhës në seancat dëgjimore të gjyqit të Calciopolit ishte menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, që bëri disa spekulime sensacionale.
Seanca filloi saktë në ora 10:15, me çështje të prekura si telefonatat e kërkuara nga mbrojtja e Moggit. Ishte prokurori Giuseppe Narducci ai që goditi mbrojtjen e Moggit duke thënë se këto thirrje nuk është dashur të kërkohen tani, por para dy tri vitesh, kur ato ishin aktuale. Narducci gjithashtu kërkoi të hetohej deklarata e Moggit në emisionin “Matrix”, ku foli për aferën me SIM kartelat zvicerane.
Kulmi i ditës ishte ardhja e Ancelotti në gjykatë. Në momentin kur Ancelotti hyri në gjykatë, ishte krijuar një rrëmujë nga gazetarët fare pranë dhomës 216 ku dhe zhvillohej seanca. Në ndërkohë, rrëmuja u spastrua dhe në pyetje u mor Carlo Ancelotti, që reflektoi më shumë në sezonin 2004-2005.
“Çudia ime ishte në atë se si Milani u prek nga ky rast. Sa për Moggin, unë kurrë nuk e kam parë atë në zhveshtoren e gjyqtarëve kur Milani luajti ndaj Juventusit, sepse nuk kam qenë aty. Por, Gennaro Gattuso më tha se ai e kishte parë Moggin në zhveshtoren e arbitrave, pas ndeshjes Milan-Juventus”, tha Ancelotti duke iu referuar ndeshjes së fituar të Juventusit prej 1-0 në San Siro, me ç’rast Bianconerët morën titullin. Arbitër kryesor në atë takim ishte Pierluigi Collina.
Nga ana tjetër hetimi i pavarur i FIGC-së (Federatës Italiane të Futbollit) pritet të shtyhet për shkak të mungesës së edhe 84 telefonatave që duhet të transkriptohen. Hetimi pritet të fillojë më 18 qershor.