Në Angli kanë filluar të qarkullojnë hipotezat e para mbi të ardhmen e sulmuesit spanjoll të Liverpulit, Fernando Torres.
Shpresat e të Kuqve për një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm janë të pakta dhe gjithashtu trajneri Rafa Benitez është shumë pranë lamtumirës. Sipas tabloidit “Daily Mirror”, ish-kapiteni i Atletiko Madridit po mendon mundësinë e largimit nga “Anfield Road”.
Në këtë situatë, nuk mungojnë kandidaturat e para për destinacionin e sulmuesit spanjoll nëse ai vendos të lërë Liverpulin. Mediat në ishull raportojnë se Mançester Siti, Çelsi, Barcelona dhe Juventusi janë të gatshëm të përfitojnë nga situata për të siguruar shërbimet e Torresit në merkaton e verës.