18 maj 2010
Lamtumirë, Besian
Mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova kishin marrë rrugën drejt fshatit Kotrodiq të Pejës, për t’i dhënë lamtumirën e fundit ish-futbollistit të Liverpoolit, Besian Idrizaj, i cili vdiq pas një sulmi në zemër.
22-vjeçari u nda nga jeta të shtunën në mëngjes, në apartamentin e prindërve të tij në Linz të Austrisë. Pas këtij rasti tragjik, familja e Idrizaj vendosi që tashmë të ndjerin ta varrosin në atdhe.
Në mesin e shumë qytetarëve që kishin marrë rrugën për ta varrosur 22-vjeçarin, ishin edhe drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), udhëheqës të Komunës së Pejës dhe bashkëlojtari i Idrizajt, Shefki Kuqi dhe vëllai i tij, Njaziu, por edhe futbollistë të tjerë që aktivizohen në Superligën e Kosovë, të cilët nuk mund t’u përmbanin lotët për ndarjen nga jeta të 22-vjeçarit.
Në ceremoninë mortore u tha se vepra e Besianit do të kujtohet gjithmonë, derisa u theksua disa herë se Besianit i mbeti e parealizuar ëndrra për ta veshur fanellën e Kombëtares kuqezi.
“Kur Besiani dhe familja e tij prisnin lajmin se do të realizohet ëndrra e tij për ta veshur fanellën e Kombëtares së Shqipërisë, përkatësisht ftesën e Josip Kuzes, morëm lajmin tronditës për vdekjen e tij. Ky lajm përveç shqiptarëve, tronditi edhe tifozët e Anglisë dhe Austrisë”, tha spikeri, që mbajti një fjalim mortor paka çaste para se të varroset i ndjeri.
“Besiani kaloi sfidat ndaj kolapsit në fushën e gjelbër. Pas një pauze, ai iu rikthye sërish futbollit dhe ëndrra e tij u realizua. Besiani nuk mundi ta kalojë edhe sfidën e tretë, e cila iu paraqit në mëngjesin e 15 majit, kur pati një sulm në zemër, i cili ia mori jetën në moshën e re, 22-vjeçare”, shtoi ai.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit Komunal të Pejës, Ali Berisha pohoi se Besiani ishte një ambasador i shkëlqyeshëm i Kosovës, duke prezantuar në mënyrën më të mirë vendin e tij nëpër Evropë.
Kurse, kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri para të pjesëmarrësve të kësaj ceremonie mortore tha se Besiani do të kujtohet për aq kohë sa edhe do të rrokulliset nëpër tokë topi i futbollit.
“Kur FFK-ja po bëhej gati për ta ftuar në përfaqësuesen e Kosovës në këto ditë, Besianin e gjeti vdekja. Besiani do të kujtohet përherë, derisa në tokë do të rrokulliset topi i futbollit”, u shpreh Vokrri.
Më pas, një vajzë e re lexoi një poezi kushtuar të ndjerit Besian Idrizaj, derisa familjarët, bashkëlojtari i tij, Shefki Kuqi, por edhe të tjerë vështirë e kishin të përmbaheshin nga lotët.
Kush ishte Besian Idrizaj
Besian Idrizaj ka lindur më 12 tetor 1987 në Baden bei Wien, afër Vjenës. Ai e filloi karrierën në vitin 2003 me ekipin LASK Linz, ku shënoi tri gola në 35 paraqitje.
Paraqitjet e tij të mira tek ekipi nga Linzer Stadion bën që ai të zgjidhej “Futbollisti i ri më i mirë” në Austri, ndërsa kjo iu shpërblye me transferim në Liverpool në vitin 2005. Ai kurrë nuk luajti me ekipin e parë të Liverpoolit, përpos një ndeshjeje miqësore, kur pati shënuar tri gola për 26 minuta.
Më pas pati disa eksperienca si huazim në ekipet nga Championship, Luton Town (2006/07) dhe Crystal Palace (2007/08). Më pas, në janarin e vitit 2008, ai u huazua sërish te klubi austriak, Wacker Innsbruck.
Idrizaj, i cili e ka prezantuar përfaqësuesen U-21 të Austrisë 12 herë, ishte pjesë e klubit amator FC Eilenburg, i cili garon në ligën inferiore gjermane (Oberliga Sud).
Për një periudhe të shkurtë ishte pjesë edhe Blackburn Rovers, para se të transferohej në Swansea City në verën e vitit 2009.
Tifozët nderojnë Idrizajn
Tifozët e skuadrës së Swansea Cityt kanë nderuar tashmë ish-futbollistin e tyre, Besian Idrizaj. Ata kanë vënë lule pranë Liberty Stadium, duke përkujtuar 22-vjeçarin që humbi jetën pas një sulmi në zemër.