05 maj 2010
Lipi: Lacio-Inter, diçka të tillë nuk e kisha parë kurrë
“Jo! Nuk më kishte ndodhur kurrë ta shihja në karrierë një stadium të tërë që bënte tifo kundër skuadrës së tij”. Këto janë fjalët e trajnerit të Kombëtares italiane, Marçelo Lipi, për takimin e së dielës në Serinë A italiane, ku pas presionit të tifozëve, Lacio u detyrua të mos bënte rezistencë ndaj Interit. “Në atë ndeshje pamë gjithçka që mund të pritej. Interi ishte superior, lojtarët e Lacios vazhdojnë të përjetojnë një situatë delikate në aspektin psikologjik, por ajo që binte më së shumti në sy ishte sjellja e publikut”. Më tej, Lipi i është përgjigjur ngacmimeve për dënim që i ka shkaktuar ajo ndeshje e futbollit italian: “Futbolli italian është diçka krejt e ndryshme. Këtë e tregoi ekipi përfaqësues katër vite më parë: në vitin 2006 në Itali ndodhi një rrëmujë e llahtarshme, megjithatë, një grup prej 23 futbollistësh arriti të fitonte Botërorin dhe tregoi se nuk ndihet inferiore ndaj asnjë kundërshtari. Kupa e Botës 2010 po afron dhe më shkëlqejnë sytë. ‘Calciopoli 2’? Atmosfera e tanishme, as që mund të krahasohet me atë të vitit 2006”.