Trajneri i bardhezinjve e ka të qartë punën që duhet të bëjë për të rikthyer torinezët tek fitoret
Juventusi i ri i Xhixhi Del Nerit do të fillojë me disa pika të qarta: moduli do të jetë akoma 4-4-2, mentaliteti do të duhet të kthehet të jetë ai i fituesit. Asnjë shkëputje me të kaluarën, sepse për të ndërtuar një të ardhme duhet të dish të kthesh kokën mbrapa dhe të shpëtosh punën e mirë që është bërë. E kaluara, sa për të mos u gabuar, për Del Nerin ka dy emra: Bufon dhe Del Piero.
Sepse, ka shpjeguar menjëheri ai “ata janë edhe imazhi i Juves. Do të flas me Xhixhin dhe do të kërkoj ta bind të qëndrojë. Eshtë portieri i Italisë, nuk do të ishte e lehtë të gjehej një zëvendësues. Dhe është një lojtar që mund të japë shumë si në fushë ashtu edhe për moralin e skuadrës.
E njëjta gjë vlen për Del Pieron”. Më pas, është e qartë, do të ketë edhe disa ndryshime. Moduli, për shembull, do të rikthehet të jetë ai 4-4-2 aq i dashur për ish-trajnerin e Sampdorias dhe nuk ka rëndësi nëse dikush i tregon se sot, tek Juventusi, nuk janë lojtarët e duhur për një skemë të tillë: “Nëse dikush ka një formulë me të cilën fitohet gjithmonë, unë jam gati ta përdor, - ka thënë tekniku bardhezi. - Duke parë se kjo nuk ekziston, zgjedh sistemin që, sipas mendimit tim, e interpreton më mirë idenë time për futbollin”.
Por, një sistem që nuk parashikon Diegon: “Duhet edhe të kuptohet edhe se çfarë i kanë kërkuar këtë vit, - ka replikuar Del Neri. - Unë shikoj karakteristikat specifike të një lojtari. E ndaj fushën në 11 sektorë dhe dua po kaq specialistë për secilën zonë. Nëse më kanë zgjedhur kjo ka ndodhur sepse më njohin, gjithsesi në futboll nuk fitohet për shkak të modulit që përdoret, por falë organizimit, mentalitetit fitues dhe cilësisë.
Juventusit nuk mund t’i thuhet jo. Këtu ka lojtarë cilësorë”. Dhe pika kryesore, për Del Nerin, është pikërisht kjo. Nëse duhet një revolucion, revolucioni duhet të fillojë nga koka e lojtarëve. Që “janë cilësorë, por duhet të rigjejnë mentalitetin fitues, sepse kjo aventurë përfaqëson një pikënisje, jo një pikëmbërritje dhe në një klub si Juventusi je i detyruar të arrish objektiva të rëndësishëm dhe, për rrjedhojë, duhet të kërkosh shumë nga lojtarët dhe nga klubi”.
Domethënë, në krahasim me Sampdorian, “me të cilën kam arritur një objektiv të madh”, gjithçka është ndryshe. Tani do të drejtojë një klub të nivelit të lartë, një sfidë për të cilën Del Neri është shprehur i sigurt se është gati, pavarësisht se në karrierën e tij eksperiencat me skuadrat e mëdha nuk kanë qenë shumë të mira: “Tek Porto më kanë lënë vetëm një muaj kohë, - ka saktësuar ai. - Doja t’u jepja besim lojtarëve si Bosingua, Bruno Alvesh, Kuarezma, Seitaridis.
Nuk ma kanë lejuar, por ndoshta kam patur të drejtë unë”. Ndërsa, tek Roma “nuk më kanë shkarkuar nga detyra siç kanë thënë disa, jam larguar vetë, kur ishim në vend të shtatë në kampionat, pas 34 pikëve të marra në 24 ndeshje. Roma nuk ka qenë vendi im”. Mbetet për t’u kuptuar nëse vendi i tij do të jetë Juventusi.