Presidenti i Sampdorias, Riccardo Garrone, ka bërë të ditur se trajneri Luigi del Neri është larguar nga klubi dhe pritet të kalojë në Juventus.
Më herët gjatë ditës së hënë, tashmë ish drejtori i përgjithshëm i Sampdorias, Giuseppe Marotta, i tha të përditshmes italiane La Stampa se Del Neri do ta përcjellë atë në Torino, por së pari duhet të takohet me Garronen. Takimi ishte zhvilluar vetëm disa orë më vonë dhe Garrone njoftoi për vendimin e Del Nerit.
“Del Neri është larguar. Mendoj se do të shkojë në Juventus”, tha Garrone për mediat italiane, lajm i cili më pas u konfirmua edhe nga një komunikatë e publikuar në ueb faqen zyrtare të klubit. Del Neri iu bashkua Sampdorias gjatë verës së vitit të kaluar, pas dy sezoneve në drejtim të Atalantas.
Largimi i Del Nerit dhe Marottas erdhi menjëherë pasi Sampdoria përfundoi në pozitën e katërt në Serie A dhe u kualifikua për në Ligën e Kampionëve, për herë të parë pas 18 viteve.
Sa i përket Juventusit, procesi i rindërtimit tashmë ka filluar në kryesinë e klubit dhe stafin teknik. Faza e ardhshme parasheh transferimin e futbollistëve të rinj, pas njërit prej sezoneve më të dobëta në histori të klubit. Bianconerët përfunduan sezonin në pozitën e shtatë dhe do të zhvillojnë ndeshje kualifikuese për Europa League.
Juventus ka qenë në kërkim për trajner pasi kontrata e Alberto Zaccheronit skadoi në fund të këtij sezoni.