Klubi bardhezi po përgatitet për një revolucion të vërtetë në fundin e sezonit
Po përgatitet një revolucion i vërtetë tek Juventusi. Të martën ka qenë dita që praktikisht ka përcaktuar stafin e ri. Përveç drejtorit të përgjithshëm Marota do të merret edhe Paratiçi dhe ndoshta edhe Azmini. Do të ketë ndërhyrje edhe në sektorin e marketingut dhe tek stafi mjekësor. Por me kalimin e Del Nerit bardhezinjtë do të kthehen tek skema 4-4-2 dhe ky fakt bën që të nxirret në merkato edhe Diego. Pëlqehen lojtarët e Sampdorias Zigler dhe Palombo.
Midis të pashitshmëve janë vetëm Del Piero, Kielini dhe Markizio. Kështu, kemi të bëjmë me një rikthim në të kaluarën, veçanërisht përsa i takon modulit. Del Neri punon vetëm me skemën 4-4-2 dhe në këtë pikë në skuadër nuk do të ketë një vend për Diegon. Por do të jetë e vështirë që për brazilianin të vijnë oferta të larta, duke parë sezonin jo të mirë që ka zhvilluar në Torino dhe sigurisht Juventusi nuk ka ndërmend të bëjë ulje.
Përsa i takon lojtarëve të tjerë, me përjashtim të Del Pieros, Kielinit dhe Markizios, nuk do të largohen as Kandreva, Kaseres, Legrotalie, Iakuinta, Maninger dhe Poulsen. Pra vetëm pak ditë, kanë mbetur për të mbyllur kampionatin dhe për të menduar për të ardhmen. Gjithsesi të hënën, do të zhvillohet një mbledhje e jashtëzakonshme e këshillit administartiv të Juventusit që do të zyrtarizojë ecurinë e re të klubit bardhezi. Ndërkohë, nga Spanja vijnë zëra për një interesim të Juves për lojtarin e Realit, Drente. 23-vjeçari, mbrojtës i krahut të majtë në këtë sezon ka luajtur pak dhe mund të largohet nga madrilenët.
Për krahun e majtë Marota po punon edhe për rikthimin e Krishitos nga Xhenoa, ndërsa për krahun tjetër po vëzhgohen Bakari Sanja i Arsenalit dhe Gregori Van der Viel i Ajaksit. Në sulm pëlqehet Robin van Persi dhe për të bindur “topçinjtë” bardhezinjtë janë gati të përfshijnë në marrëveshje Felipe Melon dhe Xhixhi Bufonin.