Francezi ka edhe një vit kontratë dhe nuk kërkon të largohet. Ndoshta ikën te Sampi për Pacinin
Kam nevojë të luajë rregullisht, gjë që në dy vitet e fundit nuk ka ndodhur. Dhe jo gjithnjë për shkak të dëmtimeve apo problemeve fizike. Kam nevojë të tregoj që Trezegeja është akoma një lojtar i përshtatshëm dhe në gjendje të vendosë një ndeshje në rezultat. Unë jam i bindur, nuk kam dyshime, por nëse nuk luaj, dyshimet u shkojnë të tjerëve. Atyre që s’më shohin dhe mendojnë që unë ndoshta jam në fund të karrierës”. Një frazë e gjatë dhe e qartë. Mendimet e parashikimet e David Trezegesë, janë mbyllur vetëm në një ide: besim nga ana e klubit, e trajnerit dhe dëshira për të luajtur, se në cilën skuadër pak rëndësi ka: “Edhe pse kam akoma një vit kontratë, nuk është e thënë që do të largohem.
Nuk varet vetëm nga unë: klubi, trajneri duhet të marrin vendimet e tyre. Sapo kanë ardhur, t’u japim kohë të punojnë. Unë do të shkoj me pushime, “topi” i kalon menaxherit tim Horge, kontaktet nuk mungojnë, të shohim momentin e duhur”. Kush mendon që Davidi është një “pako postale”, mall këmbimi, gabohet: “Nuk citoj emra klubesh, - vazhdon franko-argjentinasi, - nuk ia mbyll derën apriori askujt, as Korinthiasit. Përvoja në Brazil është stimuluese, por mund edhe të afrohem në shtëpi, në Francë”. Pra, as Milani që e kishte kërkuar pas rënies së Juves në Serinë B: “Objektivi është të luaj”. Por mes Torinos dhe Montekarlos, në mes është Gjenova për Trezegenë. Te Sampi për Pacinin? Gjithçka është e mundur, sidomos pas ardhjes nga blukaltrit të dyshes Del Neri-Marota.