06 maj 2010

Juventus, Del Neri alternativa për Benitezin

Bardhezinjtë kanë bërë gati “planin B” në rast se marrëveshja me trajnerin spanjoll dështon

“Nyja” Benitez duket se do të zgjidhet në ditët në vazhdim, kur spanjolli do të takohet me presidentin e Liverpulit, Brouton me të cilin do të diskutohet edhe në lidhje me dëmshpërblimin prej 16 milionë eurosh, që tekniku kërkon për prishjen e parakohshme të kontratës nga ana e klubit anglez. Fjalët e fundit të menaxherit të spanjollit (”Ka dëshirë të qëndrojë tek Liverpuli”), bëjnë pjesë tek “lufta e nervave”. Por Juventusi nuk ka ndërmend të jetë i papërgatitur në rast se operacioni do të dështojë dhe për këtë arsye është bërë gati plani B me jo Spaletin, jo Prandelin, por Del Nerin.

Juventusi qëndron në dritare, po pret se si do të përfundojë takimi midis Benitezit dhe Broutonit, që trajneri spanjoll e ka shtyrë dy herë deri tani. Koha është e pakët, sepse në shtëpinë e bardhezinjve duan t’i japin fund çështjes së trajnerit brenda 10 majit, kur është programuar të zhvillohet një mbledhje e këshillit administrativ të klubit ose në maksimum brenda 17 majit kur Andrea Anjeli do të bëhet zyrtarisht president. Por çështja e dëmshpërblimit është një faktor, që shqetëson jo pak sepse mund të bëjë që operacioni të dështojë.

Atëherë Juventusi ka bërë gati alternativën ndaj Benitezit. Dhe nuk bëhet fjalë për Spaletin dhe Prandelin, por për Del Nerin. Tekniku aktual i Sampdorias është në pritje për të rinovuar kontratën. Por këtu futet në lojë Bepe Marota, drejtori i përgjithshëm i ardhshëm i bardhezinjve, i cili duket se i ka thënë të presë për ta ndjekur, ndoshta, tek Juventusi. Por tek Liverpuli kanë filluar të mendojnë që tani për pasardhësin e Benitezit.

Pas Roi Hogsonit është folur edhe për një rikthim të Keni Dallgishit. Përsa i takon merkatos së lojtarëve Juventusi është vënë në kërkim të zëvendësuesit të Bufonit, në rast se ky i fundit do të largohet në fund të sezonit drejt Premier Ligës (Siti ose Junajtid). Ndërkohë, Kamoranezi dhe Trezege duket se nuk bëjnë më pjesë në planet e klubit.