18 maj 2010

Viktima e huliganëve

- Grande Juve i denon Huliganet dhe shpreson qe Kushtrim Nebiu ti rikthehet te pamurit dhe de mirren masa kunder Huliganeve, me vjen keq qe keto po ndodhen ne vendin tone - Ky eshte nje gjest i shumtuar qe ka ndodhur.. 

Huliganizmi nëpër stadiumet e Kosovës nuk ka fund. Madje ky huliganizëm e ka arritur kulmin të dielën në ndeshjen Liria-Trepça (2:2). Pas përfundimit të ndeshjes, disa shikues të Lirisë kanë gjuajtur gjësende në stadium, ndërsa më së keqi e pësoi futbollisti i ri mitrovicas, Kushtrim Nebiu.


Ai u godit me një gur në sy dhe, sipas të gjitha gjasave, shërim më për të nuk ka. 17 vjeçari është operuar të dielën mbrëma në Qendra Klinike Universitare, përkatësisht në Repartin e Syrit, ndërsa mjekët kanë konstatuar se gjasat për t’i shpëtuar syrin këtij futbollisti janë minimale.

Nebiu nuk kishte aspak faj. Ai deri dje ka luajtur në ekipin e juniorëve, ndërsa kjo ishte ndeshja e parë që u ftua si alternativë në 18-shin e seniorëve. Babai i ti, Afrimi, e ka përjetuar më së rëndi këtë ngjarje. Ai ishte i pranishëm në stadiumin e qytetit në Prizren, kur i biri i tij u godit me gur.

“Është një rast i rëndë të cilin e kemi përjetuar rëndë. E ka dëmtuar syrin e majtë dhe vështirë se mund t’i shërohet më. Mbrëmë është operuar dhe mjekët po bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për t’ia shpëtuar syrin”, rrëfen Nebiu.

Ai njoftoi se familjarët e Kushtrimit po mundohen që ta gjejnë një mënyrë që ta dërgojnë jashtë Kosovës, me gjasë në Turqi, për një shpëtim eventual të syrit të tij, edhe pse shton se mjekët ekspertë kanë thënë se vështirë do ta ketë t’i shpëtohet syri.

Nebiu për këtë rast e ka fajësuar Shërbimin Policor të Kosovës (SHPK), për të cilin thotë se nuk ka qenë në nivel të detyrës. “Unë personalisht u kam tërhequr vërejtjen që të jenë më vigjilentë, por ata nuk e kryen punën si duhet”, vazhdoi Nebiu me lot në sy.

Babai i futbollistit kosovar nuk e fajëson Lirinë, ngase, sipas tij, klubi prizrenas nuk ishte pjesëmarrës në këtë rast, ngase këtë gjest të pahijshëm e ka kryer vetëm një individ. Sipas Afrim Nebiut, futbollisti i dëmtuar, Kushtrimi, ende shpreson se do t’i përmirësohet gjendja e syrit, por në bazë të deklaratës së mjekëve, një gjë e tillë fatkeqësisht vështirë se mund të ndodhë.

Mesfushori i majtë Kushtrim Nebiu ishte pjesë e ekipit junior të Trepçës. Ai ishte gëzuar shumë kur ishte ftuar nga trajneri Gani Sejdiu si alternativë në 18-shin e ekipit senior.

Afrim Nebiu, i cili është vëzhgues në futbollin kosovar, pohon se është mëkat që një futbollisti ende pa i mbushur 18 vjet, i cili i nevojitej futbollit kosovar në të ardhmen, i humbet karriera aq herët.

Nebiu ka kërkuar nga policia dhe organet e rendit që ta gjejnë sa më shpejt personin që bëri atë gjest të shëmtuar.

Që nga paslufta këto marri nuk po kanë fund. Se kur do të mbledhim mend, vështirë është të thuhet. Në shumë raste tifozët e tillë përkrahen nga zyrtarët e klubeve, që shumë herë dënohen sherri i tyre.

Por, sikur të ndodhte e kundërta, me siguri se punët do t’i kishim pak më mirë, pasi tifozëve që shkaktojnë trazira do u ishte ndaluar hyrja nëpër stadiume apo palestra sportive.

E pjesën më të madhe të fajit e kanë federatat. Drejtuesit e tyre shpesh i mbyllin sytë dhe bëhen sikurse nuk po ndodh asgjë. Dënimet në raste të tilla janë minimale.

Liria ndien keqardhje

Në Repartin e Syrit të QKUK-së në Prishtinë ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Lirisë, të cilët kishin udhëtuar nga Prizreni për ta vizituar futbollistin Nebiu. Ata shprehën keqardhje, ndërsa premtuan se do të bëjnë çmos për ta gjetur fajtorin.

“Neve na vjen shumë keq. Ky rast na ka prekur tej mase, pasi i dha hije të keqe futbollit prizrenas. Por, ai ishte vetëm një individ keqbërës. Ne si kryesi, në bashkëpunim me organet e rendit, do të ndërmarrin masa për ta gjetur kryesin e këtij akti të shëmtuar. Kushtrimit i urojmë shërim sa më të shpejtë, ndërsa shpresojmë që në të ardhmen të mos ndodhin raste të tilla”, ka thënë drejtori i Lirisë, Hatmi Gashi.

Reagon Trepça

Ndërkohë, edhe klubi i futbollistit, Trepça, ka lëshuar komunikatë për shtyp të hënën, ku e ka shprehur indinjatën the pikëllimin e thellë që ndien për rastin e ndodhur një ditë më parë në Prizren.

Si kryesi, Trepça ka mbajtur një mbledhje urgjente, ku ka vendosur ta ngre zërin fuqishëm ndaj këtyre dukurive të dhunës, si në fushë gjatë ndeshjes 90 minutëshe, ashtu edhe për sjelljet e tifozëve të Lirisë.

“Tifozët me të vërtetë nuk e kishin as më të voglën arsye që të silleshin ashtu. Ata gjatë gjithë ndeshjes gjuanin me gurë bankën tonë rezerviste dhe me sende tjera të forta, si gurë, çadra, shishe dhe shkrepsa dhe me ofendime të cilat më së paku ne si klub i kemi merituar. Posaçërisht nuk kemi pritur sjellje të tilla në Prizren, nga një klub siç është Liria”, shkruan në komunikatë.

Mitrovicasit pyesin veten se sa ia vlen që të marrin pjesë në këso ndeshjesh, kur shëndeti i lojtarëve rrezikohet dhe nuk është i sigurt aspak. Ata urojnë dhe mbesin me shpresën që syri i lojtarit të ri Kushtrim Nebiu të shërohet.

Trepça kërkon nga organet e punëve të brendshme që ta zbardhin dhe ta dënojnë kryesin e kësaj vepre vandaliste dhe huligane. Gjithashtu, mitrovicasit kërkojnë nga Federata e Futbollit e Kosovës që ndaj Lirisë të merren masat disiplinore sa më të ashpra.