Sot bota e futbollit mban zi për 25 vjetorin e tragjedisë së “Heisel”-it, që tronditi gjithë sportin dhe shërbeu si pikë fillimi për një erë të re.
Në 29 maj të vitit 1985, Juventusi dhe Liverpuli do të përballeshin në finalen e Ligës së Kampionëve në Bruksel. Atë natë humbën jetën 39 tifozë në stadiumin “Heisel” të kryeqytetit belg. Shumica e tyre ishin tifozë juventinë, të cilët ranë viktima të një incidenti në stadium, pasi tifozët anglezë prenë një kolonë mbajtëse.
Kjo ditë cilësohet nga të gjithe si “dita që ndryshoi futbollin botëror”. Pas 25 vitesh, të gjithë kujtojnë me keqardhje atë tragjedi, por Toni Evans (redaktor i faqeve sportive të prestigjiozes britanike “The Times”) e ka shumë të lehtë të kujtojë atë çka ndodhi në Belgjikë.
Në atë kohë ishte një huligan “i çmendur” i Liverpulit dhe si i tillë ka mundësi të tregojë masakrën e “Heisel”-it. Evans tregon se natën e 29 majit 1985 tifozët e Liverpulit kishin mllef përbrenda për atë ç’ka u kishte ndodhur një vit më parë në Romë. Ish-huligani tregon se për këtë arsye tifozët anglezë “i urrenin italianët”.