16 maj 2010

FLESH LAJME

Del Neri trajner i ri i Juventusit?

Juventusi është shumë pranë finalizimit të marrëveshjes me trajnerin e Sampdorias, Luigi Del Neri, i cili pritet ta drejtojë Zonjën e Vjetër në sezonin e ardhshëm.
Sipas La Gazzeta dello Sport, vendimi ishte marrë të mërkurën në një takim të bordit drejtues, ndërsa bashkë me Del Nerin, radhëve të Juventusit pritet t’u bashkohet edhe drejtori i Genoas, Beppe Marotta.
Juventusi do t’i ofrojë Del Nerit kontratë dy vjeçare, të vlefshme 3 milionë euro për sezon, derisa emërimin e tij si trajner, pritet ta konfirmojë Andrea Agnelli, javën e ardhshme.
Në vazhdën e moskualifikimit në Ligën në Kampionëve, pas të cilit pasoi mohimi nga shpërblimet e mëdha, Juventusi duhet të shesë disa futbollistë, ndërsa emrat më të lakuar janë: David Trezeguet, Gigi Buffon dhe Felipe Melo.

Milan-Juventus, sfida e lamtumirave në “San Siro”

Në momentin e publikimit të kalendarit të Serisë A për sezonin 2009/10, pak njerëz do të kishin imagjinuar një përballje Milan-Juventus kaq pa interes në javën e fundit të kampionatit. Shumë, në fakt, do të jenë protagonistët nga njëra anë dhe nga tjetra që do t’i thonë lamtumirë tifozëve dhe fanellave respektive. Do të udhëheqin rrugën trajnerët Leonardo dhe Zakeroni; më pas, me përjashtim të surpizave në momentet e fundit, do të largohen Dida, Favali, Trezege, Kamoranezi. Midis kuqezinjve i kanë bërë valixhet gati edhe Kaladze, Odo dhe Jankulovski, por është e vështirë të gjesh një skuadër për këta lojtarë në merkato, duke patur parasysh rrogat e tyre të larta, ndërsa kanë akoma dhe një vit kontratë me klubin kuqezi. Duhet të konsiderohet e mbyllur edhe paranteza milaniste e Mansinit, që do të rikthehet tek Interi, teksa impakti i tij në Milanelo ka qenë zhgënjyes. Ndërsa nga stoli, do të largohet edhe Onievu, “viktimë” e një dëmtimi të rëndë, që do të jepet borxh për të verifikuar gjendjen e tij fizike. Në shtëpinë e bardhezinjve, sytë janë kthyer nga Bufon, midis ndeshjes së “San Siros” dhe grumbullimit me Italinë të dielën e ardhshme, portieri dhe Juventusi do të vendosin nëse do të vazhdojnë bashkë. Arsenali dhe Mançester Junajtid janë në “dritare”, gati për të ndërhyrë. Dhe në këtë klimë lamtumirash, do të jetë perfekte paraqitja e David Bekham në “San Siro”. Anglezi ka zbarkuar në Milano të mërkurën në mbrëmje dhe të enjen ka qenë i pranishëm në Milanelo. Edhe ai do t’i thotë lamtumirë, përfundimisht Milanit dhe milanistëve.