03 maj 2010

Calciopoli: Provera akuzon Moggin, Moratti dëshmitar

Seanca e ardhshme gjyqësore e Calciopolit mbahet më 11 maj dhe dëshmitë më të reja janë jo pak shokuese. Presidenti i ndjerë i Interit, Giacinto Faccheti, është përsëri në qendër të vëmendjes me deklaratat e tij. Marco Tronchetti Provera ka akuzuar Moggin për rrëmujën, ndërsa në seancën e radhës pritet që të merret në pyetje edhe Massimo Moratti.

“Interi duhet dhe do të duhej të fillonte një varg veprimesh për të eliminuar nga sipërfaqja klube si Milanin dhe Juventusin, të cilat janë më të fuqishme dhe që e kanë në dorë futbollin italian. Interi duhet të jetë lideri në një sistem jo të bazuar në fuqinë e arrogancës, por në një korporatizëm të njerëzve me të njëjtat qëllime, të cilët përdorin politikën për të ndryshuar futbollin”, është deklarata e publikuar e Facchetit nga gazeta Il Mattino.

Gjykatësja e rastit të Calciopolit, Teresa Casoria, do ta emërojë Roberto Porton si njeriun që do të duhet të kujdeset për ekstraktimin e 171 mijë telefonatave për të nxjerrë bërthamën e tyre dhe fajtorin e vërtetë.

Në seancën e radhës që do të duhej të mbahej nesër (e martë) e që është shtyrë për datën 11 maj për shkak të grevës së avokatëve, do të merren në pyetje Carlo Ancelotti dhe Roberto Mancini. Mbrojtja e Luciano Moggit pritet që të merr në pyetje presidentin e Interit, Massimo Moratti, mbi zhvillimet e fundit.

Në ndërkohë, njëri prej anëtarëve në bordin e Interit dhe drejtori i fabrikës së gomave ‘Pirelli’, Marco Tronchetti Provera, ka akuzuar rëndë Luciano Moggin dhe avokatët e tij për pohimet se Scudettoja e sezonit 2005/2006 duhet t’i merret Interit.

“Në të gjitha sportet, kur një ekip diskualifikohet, ekipi i dytë fiton dhe kështu me radhë. Por, futbolli ka më shumë ndikim nga mediat dhe njerëzit që dëshirojnë t’i thyejnë rregullat. Ne duhet të pranojmë gjithçka, por kjo është e gabuar”.

“Telefonatat e Facchetit? Mendoj se për këtë kemi qenë të qartë…Moratti në vitin 2006 tha se nuk kishte asgjë këtu. Njerëzit tentojnë të bëjnë diçka nga asgjë duke e ringjallur Calciopolin. Ata po tentojnë ta manipulojnë të vërtetën. Është skandaloze”, deklaroi Provera për La Stampa.