16 shkurt 2010

“Më mbani mend si “Drogba luftëtari”"!

Sulmuesi i Çelsit ka hapur sfidën me Uejn Runin, për “fronin” e golashënuesit më të mirë në Angli
Didië Drogba i Çelsit i ka shpallur sfidë të hapur Uejn Runit të Mançester Junajitd. Gara mes tyre është e hapur dhe secili prej tyre i ka shanset për t’u shpallur golashënuesi më i mirë i sezonit. Ujen Runi dhe Didië Drogba kanë nga 23 gola në të gjithë kompeticionet. Drogba shënoi edhe një gol të shtunën kundër Kardifit, në ndeshjen e Kupës së Federatës, në fitoren 4-1 kundër kësaj skuadre të kategorisë së dytë. Drogba, i cili shënoi në fitoren 2-1 vjet në finalen e kësaj kupe kundër Evertonit, ka thënë: “Unë dua të jem golashënuesi më i mirë në Angli. Unë dua të mbahem mend si “Drogba luftëtari”.
Mungesa ime në kampionat, për shkak të Kupës së Afrikës, i ka dhënë epërsi Runit dhe rivalëve të tjerë të mi. Por, po i paralajmëroj se unë do të luftoj deri në ndeshjen e fundit.” Xhermen Defo i Totenhemit është i treti në listë me 20 gola, i pasuar nga Karlos Tevez i Sitit me 18 gola dhe Darren Bent i Sandërlendit me 15. Por është dueli me Runin ai që e merakos më shumë Drogbanë. Ai e di se Runi dhe ai janë dy lojtarë klasi: të fortë, të shpejtë, shumë të aftë në kontrollin e topit dhe kanë aftësi të gjuajnë nga çdo kënd. Lojtari i Bregut të Fildishtë ka shumë respekt për Runin, por është i vendosur t’ia kalojë atij në këtë arë.
Drogba ka shtuar: “Gara mes meje dhe Runit do të jetë e bukur dhe objektivi im është të arrij i pari në fund. Nuk mendoj për numrin e saktë të golave që do të më duhen. Por do të jetë e nevojshme të kaloj numrin 30 që të jem numër 1. Runi është një sulmues i madh dhe luan në nivele të larta. Por ka edhe shumë ndeshje në kalendar dhe synoj t’ia kaloj me golat e shënuar. Më duket se përherë po luftoj kundër lojtarëve të Mançester Junajtid. Kristiano Ronaldo nuk ishte sulmues i mirëfilltë, por shënonte shumë gola me goditje të lira dhe penallti. Uejni është ndryshe, por gjithnjë shënon dhe në golat që bën ka shumë meritë.
Objektivi im i madh këtë vit është të fitojmë tre trofe: Ligën e Kampionëve, Premier Ligën dhe Kupën e Federatës. Nuk është e lehtë të arrihet, por unë jam ambicioz dhe besoj se Çelsi mund t’ia dalë mbanë. Ne e kemi të ndaluar të humbim në “Stamford Bridge” këtë sezon.” Drogba ka shënuar 12 gola kundër Arsenalit në karrierën e tij te Çelsi, por vetëm një kundër Junajtid, madje golin e fitores në Kupën e Federatës në vitin 2007. Ai ka thënë: “Kundër Arsenalit sikur më ecën loja dhe shënoj. Ndoshta stili i asaj ndeshjeje më krijon më shumë raste. Ne jemi shumë ofensivë në ndeshje të tilla. Por të luash kundër Junajtid është diçka tjetër. Ndeshja është shumë taktike dhe të dyja mbrojtjet më të mbyllura. Kjo nuk është mënyra e duhur për të mundur Junajtid në “Old Trafford”.
Për momentin, unë po shijoj formën time të mirë, ndër më të mirat në vite. Përvoja ime më e keqe këtë sezon ishte, pa dyshim, dështimi i Bregut të Fildishtë në Kupën e Afrikës. Por angazhimi im në përfaqësuese do të rritet kur të shkoj në finalet e Botërorit në qershor. “Te Çelsi mendoj se do të jetë një sezon i shkëlqyer. Ne luajmë ende për të gjithë titujt. Jemi ende në krye të tabelës, por e di se ajo që ka rëndësi është ta mbajmë këtë vend deri në javën e fundit të kampionatit. Ne jemi duke dhënë gjithçka për të shkuar në këtë drejtim.”