17 shkurt 2010

Besa, me syte nga Kupa

Tashmë që beteja me Dinamon për trofenë e kampionatit duket pothuajse e humbur, kavajasit kanë kthyer sytë nga Kupa e Shqipërisë.Besa e ka fituar vetëm një herë këtë trofe në edicionin 2006-2007, kur mposhti në finale Teutën me rezultatin 3-2. Tashmë i gjithë stafi ka përqendruar vëmendjen te Kupa e Shqipërisë, si mundësia e vetme për të mos dalë pa trofe nga ky sezon. Ekipi verdhezi, i drejtuar nga Shpëtim Duro, hodhi një hap të sigurt drejt gjysmëfinales, pasi mposhti 2-0 në shtëpi Tiranën në çerekfinalen e parë.
Këtë fundjavë skuadra kavajase do të presë në fushën e vet Teutën e vendit të gjashtë, në takimin e vlefshëm për javën e 22-të të Superligës. Sfida e parë mes këtyre ekipeve përfundoi në barazim 1-1 në “Niko Dovana” të Durrësit. Fundjavën që shkoi Besa u mund 1-0 nga Dinamoja në “Qemal Stafa”, duke i dhënë praktikisht lamtumirën pretendimeve për të fituar titullin kampion (dinamovitët gjenden 15 pikë para verdhezinjve).