Trajneri i Çelsit, Karlo Ançeloti, ka deklaruar se Xhon Territ nuk do t’i hiqet shiriti i kapitenit, megjithë problemet që po kalon mbrojtësi në lidhje me jetën personale.Së fundi kapiteni londinez është “kryqëzuar” nga mediat britanike për shkak të një lidhjeje jashtëmartesore me ish-bashkëshorten e mesfushorit Uejn Brixh, ish-shok skuadre me Xhon Terrin te Çelsit. Megjithatë, numri një i pankinës blu ka siguruar 29-vjeçarin se pavarësisht kësaj, statusi i tij në klub mbetet i njëjtë dhe ai do të vazhdojë të mbetet kapiteni i skuadrës.
“Jam i nderuar dhe krenar që e stërvis atë (Xhon Terrin g.s). Ai ka jetën e vet private, të cilën duhet ta kontrollojë vetë. Unë duhet të kontrolloj skuadrën dhe ai është vetëm një lojtar në këtë skuadër. Është dhe do të vazhdojë të mbetet kapiteni, sepse lojtarët asnjëherë nuk e humbin besimin te ai”, theksoi trajneri italian i Çelsit.