13 prill 2011

Lipi: "E shoh veten te Alegri, kjo Itali sot më kujton atë të Berlinit"


Triumfi i Berlinit dhe dështimi në Afrikën e Jugut, skuadra kombëtare e Prandelit, sfida e titullit kampion dhe një mendim për Juventusin dhe Sampdorian. Marçelo Lipi feston 63-vjetorin, pjesën më të madhe të së cilës e ka kaluar në botën e futbollit, si lojtar ose si trajner. Shumë kujtime dhe fitore, edhe se të "fitosh një Botëror është e mrekullueshme", siç është shprehur ish-trajneri i kombëtares italiane në një intervistë ekskluzive për Radio "Sportiva". Kupa e Botës e fundit, ndërkohë, nuk ka qenë entuziazmuese, përkundrazi një dështim në shumë drejtime. "Rimendoj shpesh herë për Botërorin në Afrikën e Jugut, karriera ime ka kaluar shumë momente të bukura, më pas janë edhe ato negative, por kjo është shumë normale. Në Itali, kemi treguar që mund të ndërtohen skuadra të një niveli të lartë, ashtu si edhe në vitin 2006. Ajo skuadër arriti të fitojë Botërorin në rrethana shumë të vështira. Më vjen shumë keq për kupën e fundit të botës, nuk kemi bërë një figurë të mirë". Në Afrikën e Jugut është mbyllur epoka e Marçelo Lipit dhe ka filluar ajo e Prandelit. "Pas atij Botërori, në çdo rast, ishte e nevojshme të realizohej një rinovim, edhe nëse do të kishim shkuar mirë, ka vazhduar më tej Lipi konceptin e tij. Nuk jam surprizuar shumë nga puna e Cesare Prandelit, ka një detyrë shumë të vështirë, atë për të rindërtuar një grup të ri që të kryejë një punë të mirë në Europianin e vitit 2012 dhe në Botërorin e vitit 2014. Është i detyruar ndërkohë të kërkojë lojtarë italianë në skuadra jo të nivelit më të lartë, sepse në skuadrat e mëdha ka shumë të huaj dhe problemi është eksperienca ndërkombëtare, që mbase nuk e kanë". Por, ndërkohë ish-trajneri i kombëtares ka shumë besim: "Grupi aktual është duke kryer një punë shumë të mirë, më duket sikur rishoh grupin që ishte duke përgatitur Botërorin në Gjermani: kishte bindje dhe shumë entuziazëm, pikërisht siç ndodh sot".

Kampionati

Lipi ka shumë besim tek ndeshja e kthimit të çerekfinaleve të Champions Ligës ndërmjet Shalkes dhe Interit ("këtij Interi i mungon edhe arritja e fundit e madhe dhe e mërkura mund të jetë mundësia më e mirë"), përsa i përket Napolit, ish-trajneri i kombëtares mendon që, "bëjnë shumë mirë që besojnë te titulli kampion: Napoli kishte programuar një rritje të skuadrës graduale, por jo deri në këtë pikë. Tashmë janë shumë lart, kanë entuziazmin e qytetit që jep Napoli dhe duhet ta provojnë deri në fund. Tashmë mund të ndodhë gjithçka". Lufta për titullin kampion është edhe një sfidë në distancë ndërmjet Alegrit dhe Maxarrit. "Unë rishoh veten time disi te Masimiliano Alegri, kur kam shkuar te Juventusi nga Napoli, kisha konkretizimin e tij, ka pranuar vetë Marçelo Lipi. Dhe më pas kisha shumë entuziazëm. Maxarri tashmë ka treguar plotësisht atë që di të bëj".

Bufon dhe Sampdoria

Duke folur për bardhezinjtë, trajneri nga viarexhio ka uruar që, Xhianluixhi Bufon të mos largohet nga Juventusi "sepse bardhezinjtë kanë nevojë për lojtarë të mëdhenj. Juventusi duhet të provojë të hyjë në Champions Ligë, nuk do të jetë e lehtë, sepse 6 pikë nuk janë pak, më pas Lacio ka rigjetur një lloj bindjeje te lojtarët e saj më të rëndësishëm dhe është kthyer shumë në formë. Kundër Parmës, për shembull, Hernanez ka zhvilluar një punë shumë të mirë". Nga Marçelo Lipi është lëshuar një urim edhe për Sampdorian dhe një apel ndaj ambjentit që duhet të kuptojë që "tashmë nuk duhet të gjenden përgjegjësit për atë që ka ndodhur, fajet duhet të gjenden në fund të sezonit. Tani të gjithë duhet të përqendrohen në objektivin që kanë për të arritur, mund të ndodhë në një vit që gjërat shkojnë keq. Sampdoria i ka të gjitha mundësitë për të qëndruar në Serinë A". Ndërkohë, që për të ardhmen e tij ai është shprehur: "Për momentin nuk stërvis, por shijoj kohën e lirë, më pas do të shikojmë gjithçka".
/JUVENEWS.TK/