05 prill 2011

Juventus, tension midis portierëve


Trajneri i Juventusit, Delneri, do të duhet të bëjë një zgjedhje shumë të vështirë për emrin që do të mbrojë portën e skuadrës, në përballjen e së dielës ndaj Genoas.

Pas paraqitjes së shkëlqyer përballë Romës, Storari bëri të qartë ambicjet e tij dhe rriti presionin mbi trajnerin duke thënë se: “Vetëm një i vërbër nuk do të ishte në gjendje të shihte formën time shumë të mirë. Shpresoj që trajneri të mos jetë i verbër”.

Megjithatë, Gigi Buffon nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen nga vendi i titullarit, por ai ka marrë një goditje të re nga lajmi se drejtuesit i kanë paraqitur “rezervës” së tij një ofertë për të rinovuar deri në vitin 2014.

Nëse lajmi do të konfirmohet, atëherë portieri i kombëtares italiane mund të jetë pranë kalimit tek Roma apo skuadra të tjera të rëndësishme europiane, pasi Storari do të vendosë si kusht për rinovimin vendin e titullarit.

Përsa i përket Delneri-t, ai u përpoq të qetësonte polemikat duke thënë: “Me Storarin kemi folur dhe këtë e bëjmë shpesh. Unë kam një respekt të madh për ata që qëndrojnë në stolin e rezervave.

Është normale që ai të dëshirojë të luajë, por duhet të kuptojë se përpara tij është një kampion si Buffoni. Unë nuk jam i verbër, madje shoh shumë mirë. Storari ka treguar se është një njeri me shumë karakter dhe e falenderoj për atë që ka bërë.

Ai është shembulli i një lojtari jotitullar. Stërvitet më shumë se të tjerët dhe është gjithmonë gati t’i bëjë zgjedhjet e mia sa më të ndërlikuara. Kjo është ajo që duhet të bëjnë të gjithë ata që mbesin jashtë formacionit”.
/JUVENEWS.TK/