09 prill 2011

Juventus, Storari “shpallet” numri 1!


Portieri roman i jep një tjetër mesazh klubit dhe kolegut të tij, Bufon: Mendoj e stërvitem si titullar

Shpina e Xhixhi Bufonit vazhdon të bëjë “naze”. Tashmë, është e qartë se portieri bardhezi nuk do të luajë as në ndeshjen e nesërme kundër Xhenoas, por kjo nuk do të thotë se ka ardhur koha të mendojë për sezonin e ardhshëm.

Portierit, kampion bote në 2006-ën, nuk i pëlqyen deklaratat provokuese të Marko Storarit pas ndeshjes me Romën dhe dëshiron të tregojë të gjithë vlerat e tij në këto ndeshje të fundit. Më pas, në fundin e sezonit, ose do të ndahet me Juventusin (për t’u transferuar te Roma), ose do të flasë me drejtuesit bardhezinj për një zgjatje të kontratës me ulje të rrogës.

Storari, nga ana e tij, do të jetë sërish titullar dhe shpreson të jetë protagonist, siç bëri kundër Totit me shokë: “Unë polemik në fundin e ndeshjes? Dua ta sqaroj menjëherë këtë situatë. Me trajnerin u sqarova sapo shkova në dhomat e zhveshjes. Mirëbesimi im nuk duhet të vihet në diskutim.

Isha euforik për paraqitjen e mirë që bëra dhe për fitoren e rëndësishme. Sigurisht, thashë gjëra që mund të interpretoheshin në mënyrë negative, por, me të vërtet, nuk doja të ofendoja asnjeri, - ka saktësuar Storari.

Mendoj se luajta mirë në pjesën e parë të sezonit, dhe sigurisht do të kisha reaguar nëse portieri që do të ma merrte vendin si titullar nuk do të quhej Bufon, por një portier normal. Por marrëveshjet ishin gjithmonë të qarta me klubin. Roli im ishte ai për të zëvendësuar në mënyrë sa më të mirë Bufonin deri në rikthimin e tij.

E dija se mund të përfundoja në stol”. Portieri roman shpreson që të qëndrojë në Torino, por me një rol të rëndësishëm në skuadër: “Një vit tjetër me Bufonin? Tani duhet të mendojmë ta mbyllim mirë këtë sezon, më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë. Unë arsyetoj gjithmonë si një lojtar titullar.

Stërvitem si një lojtar, që të dielën do të jetë në fushë. Kështu arrita të bëj hapa të rëndësishëm përpara te Milani, vetëm kështu nuk humben mundësitë që të paraqiten. Në moshën 34-vjeçare dëshiroj të luaj, por Juvja është Juvja, pavarësisht nga gjërat e tjera. Kur je në maksimumin e formës, duhet të mendohesh mirë para se të marrësh vendime të prera, - ka shtuar Storari.

Një zgjatje të kontratës me Juven deri në 2014-ën? Jam gati ta nënshkruaj! E vërteta është se ndjej një lidhje të fortë me këtë klub, me projektin në veçanti. Anjeli dhe Marota besuan te unë, dhe sot më pëlqen idea për t’ia shpërblej besimin.

Më pëlqen akoma më shumë perspektiva për të qenë këtu kur Juventusi do të rikthehet të fitojë. Dhe do të ndodhë shumë shpejt”. Storari nuk e fsheh kurrë se është një tifoz i Romës, një dashuri që në kohët e fundit - pas pritjeve të së shtunës së kaluar, por mbi të gjitha në ndeshjen me Sampdorian që i hoqi titullin verdhekuqve vitin e kaluar - është pakësuar, me publikun e “Olimpikos” dhe kapitenin Toti që dolën hapur kundër tij. Numri një i bardhezinjve kundërsulmon:

“Pikërisht unë, roman dhe romanist? Po çfarë të bëj? Të mos pres asnjë top për t’i bërë një nder Romës? Vitin e kaluar kisha probleme me Totin, sepse prita çdo gjuajtje: ata luanin për titullin, por Smapdoria ime ishte në garë për një kualifikim historik në Champions.

Gjëra të tilla mund të ndodhin vetëm në Itali. I zhgënjyer nga Toti? Për t’u zhgënjyer duhet ta vlerësosh në fillim një person…”, ka thënë Storari.
/JUVENEWS.TK/