07 prill 2011

Ëndërr apo utopi, Juvja beson te Championsi


Bardhezinjtë mund të synojnë Europën që ka rëndësi, nëse nuk do të gabojnë deri në fund 8 janë pikët larg vendit të katërt të Juventusit, në të cilin për momentin ndodhet Udineze dhe 2 pikë larg bardhezinjtë ndodhen pas Romës, që e mundën të dielën. 7 janë javët e mbetura deri në fund të kampionatit. Juvja do të luajë kundër Xhenoas, Lacios, Katanias, Xhenoas, Fiorentinës, Parmës, Kievo dhe Napolit. “Zadok the Priest”, ka qënë një himn dhe një celebrim antik përmes të cilit kurorëzoheshin dikur mbretërit në Anglinë e viteve 800. Por duket se ky himn, që prej vitit 1992, ka kurorëzuar edhe mbretërit e futbollit europian, që nga Portugalia deri në Rusi. Ky himn ka parë Barezin duke ngritur tituj, Zidanin që shpiku manovrimin duke u rrotulluar rreth vetes me top, Saviçeviçin që ka arritur të “fyejë” gravitetin, Solskjaerin, i cili ka sfiduar kohën, Del Pieron që ka shpikur një gjuajtje, të cilën vazhdon ende ta praktikojë. Ka parë atë Del Piero, i cili është shndërruar në kornizën e ekipit bardhezi. Natyrshëm lind pyetja: Një tjetër sezon negativ për Juventusin, po sikur ata të arrijnë Championsin? A është e sigurt që ai vend i katërt, aq shumë i lakmueshëm për këtë ekip, ndodhet në një distancë shumë të largët? Po, do të ishte përgjigja që kushdo do të jepte para zhvillimit të ndeshjes së fundit. Po të flasim akoma më larg në të kaluarën një kualifikim në Champions do të ishte diçka historike. Por duke analizuar situatën nuk duket aq utopike. Teksa skuadrat po përgatiten drejt garës finale Juventusi mund të përfitojë shumë nga rikthimi i lojtarëve që i janë rikuperuar. Flasim për rikuperim fizik dhe mendor nga ato dëmtime fatkeqe. Emri i parë që i është rikthyer fushës është ai i Grosos. Ndeshja ndaj Romës e pa italianin në një formë të shkëlqyer. Si autor i dy asisteve dhe i shpëtimit të një goli në mbrojtje Groso dukej se ishte rikthyer ai lojtar që u pa më 9 korrik 2006, i shkrirë tërësisht në dhoma e zhveshjes së stadiumit “Olimpiko”. Ai do të jetë një armë plus, diçka që s’e prisnim në këtë fillimsezon. Me Romën ra në sy edhe Krasiç, tërësisht i plotësuar, tamam ashtu sikurse kishte premtuar të shfaqej. Serbi ka luajtur duke mos bërë pushime që prej një viti e gjysëm, dhe ndoshta angazhimi me kombëtaren, me të cilën luajti një ndër dy ndeshjet e fundit, i ka shërbyer si reflektim. Krasiç, ndaj verdhekuqve fillimisht gjeti hapësira në të djathtë, skema 4-3-3, më pas kaloi në qendër, falë skemës 4-4-1-1 dhe së fundmi iu rikthye pozicionit të tij të preferuar. Kjo lloj taktike përbën një hap përpara dhe një tjetër pikë zhvillimi për klubin bardhezi. Më në fund trajneri po tregon se di ta përshtasë skemën 4-4-2, aq shumë të preferuar prej tij. Që tani e tutje do të jetë shumë themelor ky aspekt për t’i dhënë një shkëputje skuadrës nga ai realitet në të cilin e kemi parë. Themelor do të jetë edhe rikthimi i Kielinit dhe kapitenit Del Piero. Duke i hedhur një sy kalendarit që e pret “Zonjën e vjetër” në shtatë javët e ardhshme, kuptohet qartë se dy ndeshjet e para do të jenë shumë vendimtare për fatin e kësaj skuadre. Ndeshja kundër Xhenoas në shtëpi dhe transferta e Firences do të tregojnë realisht se çfarë është në gjendje të arrijë Juventusi. Duke lënë pas këto të dyja, më pas vjen ndeshja ndaj Katanias në shtëpi, dhe pas saj takimi direkt me Lacion. Tifozët urojnë që deri në atë ndeshje skuadra t’i jetë afruar katërshes kryesuese. Dy takimet e parafundit, ai ndaj Kievos në Torino dhe më pas transferta e “Tardini”-t, do të jenë një shans i mirë, ku Juvja nuk duhet të gabojë. Për ta mbyllur me ndeshjen ndaj Napolit. Ndërkaq rivalët e Juventusit, të cilët gjithashtu synojnë një nga vendet europiane, nuk është se i pret një kalendar më i lehtë se ky i bardhezinjve. Prandaj kjo i bën edhe më optimistë torinezët. Udinezen e ndajnë nga vendi i katërt, vetëm tetë pikë. Dhe duket se friulianët paraqesin rrezik pasi janë të vetmit që kanë një kalendar disi më të lehtë. Gjithsesi, këta të fundit kanë gabuar në transfertën e Leçes duke lënë tri pikë dhe kësisoj janë ngjallur shpresat e rivalëve. Ngjitja për bardhezinjtë fillon pikërisht tani: Takimet me Xhenoan dhe Lacion, ndeshja ndaj Katanias në shtëpi, transferta e Firences, takimet kundër Parmës, dhe Kievos, të cilat do të kërkojnë pikë për mbijetesë, dhe ndeshja e fundit ndaj Napolit në “Sao Paolo”, do të jenë ndeshjet plot shpresë të bardhezinjve për një vend në Champions. Ndeshjet e vështira të Romës, përveç asaj që do të ketë me Udinezen, janë edhe ato ndaj Milanit dhe Palermos. Ndërkohë Lacio do të ketë mundësinë të vendosë rreth fatit të saj në harkun e tri javëve të ardhshme, teksa e presin respektivisht ndeshjet kundër Interit, Juventusit dhe Udinezes. Me pak fjalë Juventusi në këtë sprint të fundit të kampionatit duket më se e favorizuar nga kalendari. Ndoshta tetë pikë janë shumë për t’u rikuperuar në një kohë kaq të shkurtër. Por derisa matematika ta lejojë diçka të tillë atëherë drejtuesit, lojtarët dhe tifozët kanë të drejtë të shpresojnë. Duket se fati do të jetë në dorë të skuadrës, pesë fitore në shtatë ndeshjet e mbetura me siguri do të mbanin gjallë ambiciet për në Europë. /JUVENEWS.TK