04 prill 2011

Del Neri do të qëndrojë nëse arrihet Champions Liga


Ndërkohë, që Antonio Konte vazhdon të rrisë kuotat e tij për të marrë drejtimin e bankinës së Juventusit nga sezoni i ardhshëm, Xhixhi Del Neri është duke bërë gjithçka për t'i komplikuar jetën. Sepse, nëse është e vërtetë që tifozët nuk e duan dhe kërkojnë largimin e tij, skuadra bardhezi është në krahun e tij dhe e mbështet. Dhe fitorja e arritur në Romë e tregon shumë mirë. Shenjë kjo që mbase edhe shoqëria nuk ka vendosur akoma të ndryshojë. Shumë do të varet edhe nga objektivat që do të arrihen: nëse do të arrihet vendi i katërt që të dërgon në Champions Ligë, atëherë do të ecet përpara me Del Nerin. Kur të gjithë ishin duke pritur rrëzimin final, që do të kishte sanksionuar menjëherë lamtumirën e tij në fund të sezonit, ja ku Juventusi, sëbashku me lojtarët e saj, ka lançuar një mesazh të qartë dhe të vendosur: ne jemi me trajnerin Del Neri. Mbase jo të gjithë, por grupi për momentin duket se nuk ka braktisur komandantin.

Siç kishte vepruar me Ranierin, Ferrarën dhe Zakeronin. Të gjithë të 'zhveshur nga gradat', pasi është kuptuar që edhe drejtuesit i kishin komunikuar vendimin se nuk kishte një të ardhme për ta në ambjentin bardhezi. Por ndërkohë, pikërisht paraqitja e dhuruar në Olimpiko ka treguar që ai moment nuk ka mbërritur akoma. Të paktën tashmë. Përqafimi i Felipe Melos me trajnerin Del Neri pas golit të shënuar nga Krasiç, një prej imazheve të mbrëmjes në kryqytetin italian, tregon që Xhixhi i vjetër ka akoma diçka për të thënë. Asnjë, gjithsesi, nuk fsheh që ka vështirësi të shumta. Klasifikimi është i qartë dhe shikon një Juventus në vështirësi të mëdha. Edhe sepse në këtë kampionat skuadra bardhezi ka treguar që kundër skuadrave të mëdha gjithmonë është përgjigjur në mënyrën e duhur. Dhe me skuadrat e konsideruara të vogla ka zhgënjyer. Dhe të dielën në Torino do të mbërrijë Xhenova….

Sido që të jetë, Luixhi Del Neri ka vetëm një mënyrë për të shpëtuar: të sigurojë vendin e katërt që në verë ishte konsideruar si objektivi minimal për të buzëqeshur. Nëse do ta arrijë, atëherë Anjeli do të mbajë premtimin e tij, duke respektuar kontratën dhe do t'i besojë skuadrën edhe për sezonin e ardhshëm. Ndërkohë, nuk përjashtohet, që do t'i ofrojë edhe disa para që mund të investohen në merkaton e ardhshme verore për të përforcuar grupin. Merkato që bëhet shumë interesante në frontin e portierëve. Sepse për një Xhixhi që ngjitet disi më lart, ose të paktën nuk rrëzohet, është një tjetër që zbret disi.

Mungesa e Bufon kundër Romës ka bërë shumë zhurmë. Asnjë nuk vendos në diskutim gjendjen gripale që ka goditur kapitenin e kombëtares italiane (edhe se është folur për probleme përsëri me shpinën), por është një koincidencë e madhe që problemi ka mbërritur kundër asaj Rome, ku ai shikohet si numri një për sezonin e ardhshëm. Paraqitja dhe fjalët pas ndeshjes së Marko Storarit shikohen si një paralajmërim. Bufon mbetet një flamur bardhezi dhe një prej portierëve më të mëdhenj në botë, por asgjë nuk është e përjetshme dhe Juventusi ka tashmë në shtëpi një zëvendësues të denjë të tij. Dhe atëherë, nëse dikush do të bëjë një hap përpara për shërbimet e tij, urimi i Del Pieros ("shpresoj që Xhixhi të qëndrojë më gjatë se mua") mund të mos realizohet.
/JUVENEWS.TK/