06 prill 2011

Champions League - Rezultatet dhe Statistikat


JuveNews - 1/4 e Finales së Champins League

Takimet e para 05/06.04.2011

Real Madrid - Tottenham 4-0
Inter - Schalke 04 2-5
Barcelona - Shakhtar Donetsk 5-1
Chelsea - Manchester United 0-1

Takimet kthyese 12/13.04.2011

Tottenham - Real Madrid ?-?
Schalke 04- Inter ?-?
Shakhtar Donetsk - Barcelona ?-?
Manchester United - Chelsea ?-?

United fiton në Stamford Bridge

Manchester United ka arritur fitore minimale prej 1-0 kundër Chelseat në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Dy rivalët e Kampionatit anglez u ndeshen në Stamford Bridge për të zhvilluar një pjesë të parë mjaft dinamike, me disa raste shënimi, por gjatë të cilës u realizua vetëm një gol.

Një pasim të saktë të Carrick e shfrytëzoi Ryan Giggs, i cili me mjeshtëri gjeti Wayne Rooneyn, ndërsa sulmuesi anglez e përmbylli në mënyrën më të mirë këtë aksion duke shënuar golin e avantazhit për Djajtë e Kuq (24’).

Edhe pjesa e dytë u përshkua me mjaft dinamizëm nga të dyja skuadrat, Chelsea ishte në kërkim të golit të barazimit, kurse United dëshironte ta rritë edhe më shumë epërsinë.

Me afrimin e fundit të takimit, Blutë shtuan presionin drejt portës së Van der Sar, mirëpo e kishin të vështirë që ta mposhtnin portierin holandez.

Ky rezultat shkon në favor të Manchester United që ndeshjen e kthimin e zhvillon para tifozëve të vet në Old Trafford.
/JUVENEWS.TK/

Barca i afrohet gjysmëfinales

Barcelona ka dalë fituese e përballjes së parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, duke e mposhtur Shakhtar Donetskin me rezultat 5-1.

Blaugranët arritën shumë shpejtë deri të goli i avantazhit, kur Andres Iniesta e mposhti portierin Pyatov (2’).

Mesfushori spanjoll ishte i përfshirë edhe në golin e dytë të vendasve, pasi që pasoi te Daniel Alves, i cili arriti të përvidhet brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit mysafir dhe të dyfishojë rezultatin (34’).

Me një krosim nga këndi, Xavi gjeti mbrojtësin Gerard Pique, i cili ngriti epërsinë në 3-0.

Yaroslav Rakytskyy ishte lojtari që festoi në Camp Nou pasi shënoi një gol (59’) për mysafirët, por festa e tij u ndërpre menjëherë nga Seydou Keita që shfrytëzoi pasimin e Leo Messit, për të shënuar golin e katërt të vendasve (60’).

Rezultatin përfundimtar të takimit e vendosi Xavi Hernandez (86’) për ta shokuar skuadrën mysafire.

Pas kësaj fitoreje, Barcelona gjendet vetëm 90 minuta larg gjysmëfinales.
/JUVENEWS.TK/

Mbretërit pranë gjysmëfinales

Real Madridi ka shënuar fitore prej 4-0 kundër Tottenham Hotspur në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve që u zhvillua të martën mbrëma në Santiago Bernabeu.

Pas një goditjeje nga këndi të Mesut Oezil, Emmanuel Adebayor shënoi me kokë për të krijuar epërsi të hershme për vendasit (4’), ndërsa ky ishte goli i vetëm në pjesën e parë përkundër dominimit total të Los Blancos.

Peter Crouch mori dy kartonë të verdhë për një kohë të shkurtë dhe përjashtimi i tij (15’) i përkeqësoi gjërat edhe më shumë për Spursat.

Presioni i vazhdueshëm i vendasve u shpagua me golin e dytë të Adebayor, i cili shënoi sërish me kokë pas harkimit të Marcelos (57’).

Angel Di Maria me një goditje të bukur nga distanca shënoi golin e tretë për Mbretërit (72’), ndërsa rezultatin përfundimtar e vendosi Cristiano Ronaldo (87’) pas një asistimi të Kaka.

Pas kësaj fitoreje, Real Madridi është me një këmbë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, por duhet të presë që të zhvillohet edhe ndeshja kthyese në White Heart Lane.
/JUVENEWS.TK/

Turpërohet kampioni

Interi ka pësuar humbje prej 5-2 para tifozëve të vet nga Schalke, për t’i zvogëluar gjasat për vazhdimin e mëtutjeshëm të garës në Ligën e Kampionëve.

Porsa filloi ndeshja (1’), Dejan Stankovic shfrytëzoi një dalje të gabuar të portierit Neuer për të kaluar vendasit në epërsi.

Mirëpo nuk kalo shumë kohë (17’), dhe topin e kthyer nga Julio Cesar pas goditjes së Papadopoulos e shfrytëzoi Joel Matip për të barazuar rezultatin.

Diego Milito riktheu epërsinë e zikaltërve (34’), pas një pasimi me kokë të Cambiassos, por pa u mbyllur pjesa e parë (40’), Schalke barazoi sërish me anë të Edu.

Në pjesën e dytë (53’), golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Ligën e Kampionëve, Raul Gonzalez, kaloi për herë të parë Schalken në epërsi.

Andrea Ranocchia u bëri shërbim mysafirëve duke shënuar në portën e vet pas goditjes së Jurados (57’), ndërsa me golin e dytë personal, Edu ngriti epërsinë në 5-2 (75’).

Me këtë fitore të lartë, Schalke ka gjasa reale për t’u kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa Interi duhet të shpresojë për një mrekulli në ndeshjen kthyese.
/JUVENEWS.TK/