08 prill 2011

Bonuci: "Fitoret me Breshian dhe Romën na kanë dhënë moral"


Leonardo Bonuci shikon dritë. "Nuk duhet të krijojmë iluzione, por është normale që pas fitoreve kundër Breshias dhe Romës të mendojmë disi edhe për vendin e katërt. Por, tani përpara kemi ndeshje të tjera të rëndësishme, duke filluar nga ajo e ditës së dielë kundër Xhenovas dhe kështu, që të mendojmë ndeshje pas ndeshje dhe në fund të kampionatit do të shikojmë se ku do të kemi arritur në renditjen e përgjithshme". Mbrojtësi i Juventusit, Leonardo Bonuci, beson akoma në kualifikimin për në Champions Ligë sezonin e ardhshëm.

Dy fitore radhazi kanë rilançuar bardhezinjtë e Luixhi Del Nerit që përgatiten tani për sprintin final të sezonit. Tani do të jetë radha e Xhenovas dhe për Bonucin, kjo do të jetë një ndeshje shumë speciale, duke parë që kartoni i tij ka qenë në pronësi të klubit kuqeblu. "Kur zbres në fushën e lojës me fanelën e Juventusit duhet të fitoj kundër të gjithëve, shpjegon ai, duke folur për "Sky Sport", kështu që nuk ka asnjë dëshirë të ndryshme, pavarësisht kundërshtarit. Unë në këtë moment, duhet të falenderoj shoqërinë, presidentin Preciozi dhe drejtorin Kapozuka, sepse nëse kam shkuar tek Bari, ku kam arritur të luajë në vazhdimësi dhe të më shikojnë të gjithë, është edhe falë punës së tyre".

Ndeshja e të dielës është një ndeshje shumë e ndërlikuar dhe aspak e thjeshtë, por për Bonucin, Juventusi në këtë moment duhet të shikojë veten e vet dhe të mos mendojë shumë për kundërshtarët: "Në disa ndeshje na kanë munguar elementë të rëndësishëm si përqendrimi dhe cinizmi, kështu që vështirësitë nuk mbërrijnë shumë nga Xhenova, më shumë sesa nga kapaciteti jonë për të zbritur në fushën e lojës me mentalitetin e duhur". Zgjidhjet e reja taktike që ka provuar Luixhi Del Neri edhe në stërvitje, me dy mesfushorë përpara mbrojtjes, i pëlqejnë mbrojtësit. "Kemi provuar edhe këtë model dhe pavarësisht se skema ishte një 4-4-2 që aplikojmë, por e maskuar, të kesh mbrojtjen e dy mesfushorëve në qendër ndihmon shumë fazën mbrojtëse".

Duke parë kundërshtarët në rrugën drejt Europës, Bonuci shikon Udinesen si skuadrën më të frikshme për "dëshirën dhe urinë që kanë lojtarët e saj dhe për lojën që kanë arritur të shprehin në këtë kampionat. Roma dhe Lacio, ndërkohë kanë shumë elementë në gjendje për të vendosur ndeshjet në çdo moment. Gara për titullin kampion është një diskutim ndërmjet Milanit… dhe Milanit, në sensin që kanë treguar se janë shumë lart se të tjerët dhe mund ta humbasim vetëm vetë atë titull që e kanë pranë".
/JUVENEWS.TK/