17 shkurt 2010

Shengyli: Prishtinës vetëm emri i ka mbetur!

Skënder Shengyli ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetrajnerit të skuadrës së futbollit Prishtina. “Kryetrajneri i deritanishëm i FC Prishtina, Skënder Shengyli, të martën ka dhënë dorëheqje, shkaqet janë personale. Në vend të tij është emëruar Ramiz Krasniqi”, njofton drejtori gjeneral i kësaj skuadre, Edmond Rugova. Ndërkohë, Shengyli e ka arsyetuar dorëheqje e tij nga posti i kryetrajnerit nga skuadra e futbollit Prishtina dhe sipas tij, nuk ështe çështje personale, por thjeshtë problemet që janë grumbulluar në këtë mjedis sportiv me traditë të gjatë të futbollit. “Në KF Prishtina janë grumbulluar shumë probleme dhe e pash të arsyeshme të jap dorëheqje të parevokueshme. Nuk ishte ajo Prishtinë që kam menduar unë. Vetëm emri i kishte mbetur dhe asgjë tjetër. Nuk e kishte at traditë që e ka pasur dikur. Anëtarë e KF Prishtina duhet ta ndryshojnë kursin organizativ dhe të punës. Për katër muaj sa isha në postin e kryetrajnerit nuk pash diçka që ka ndryshuar dhe e pash të arsyeshme edhe të ndërprejë punën. Kam pasur raporte të shkëlqyeshme me Shtabin Teknik, si me Sami Sërmaxhajn, Bahri Berishën dhe me gjithë futbollistët. Problemet e grumbulluara janë të mëdha, por nuk dua t’i përmendi për shkak që mos të shkaktojë probleme të tjera”, ka thënë Shengyli. Ish-kryetrajneri i Prishtinës, iu ka shprehur suksese pasardhësve të tij. “Iu dëshirojë suksese në kampionat trajnerëve të ri, Ramiz Krasniqit dhe Shefqet Sinanit”, shtoi ai. Shengyli tha se disa anëtarë të klubit e kanë pasur plotë gojën me titullin e kampionit, por sipas tij, është normale kjo, por kur kihet parasysh se me çfarë fondi të futbollistëve ka funksionuar klubi ka qenë shumë vështirë. “Vazhdimisht kam qenë korrekt në synimet e mija kur e kisha marrë timonin e skuadrës së Prishtinës. Mirëpo, theksova edhe më lartë se KF Prishtina nuk funksion ashtu si duhet një klub me traditë. Jo vetëm futbollistët që kanë shkuar hasën në probleme, por edhe ata që ishim brenda jemi ballafaquar me telashe. Prishtinës i shkonin shtatë futbollistë dhe angazhonte dy futbollistë, atëherë çfarë synime mund të kesh më një fond të varfër të futbollistëve”, tha Shengyli. Kryetrajneri sapo ka dhënë dorëheqje tha se janë grumbulluar shumë probleme brenda KF Prishtina, por preson se do të ndërpritet hovi i gjithë kësaj. Sipas tij, ka edhe obligimet klubi që të shlyejë ndaj tij, por nuk ka pranuar Shengyli të flas në detaje. “Pjesën më të mirë të karrierës sime e kam kaluar në Prishtinë, por nuk ishte ajo Prishtinë më”, përfundoi Shengyli.