15 qershor 2009
Spikati në Champions ndaj Mançesterit
Anglezët e kanë zbuluar më 7 prill të 2009-ës në “Old Traford”. Dhe, “Old Traford”, nuk është një vend i zakonshëm për asnjë lojtar, sidomos për një futbollist që mbante në dhomën e tij posterin e Evrasë. Ali Sisoko është francez me origjinë senegaleze, si Evra. Luan si mbrojtës në krahun e majtë, ashtu si Evra. Bën tifo për Mançester Junajtid, siç bën, natyrisht, edhe Evra. Por fati ka vendosur në rrugën e tij Milanin në vend të skuadrës së zemrës. Ali Sisoko ka shkuar tek Porto në muajin janar dhe ka gjetur menjëherë një vend si titullar, duke parë se Fuçile preferonte të luante në krahun e djathtë. Eshtë blerë për 300 mijë euro nga ekipi i Vitoria Setubal dhe megjithatë drejtuesit e Portos kanë refuzuar më parë milionat e ofruar nga Lioni. Pas ndeshjes në “Old Traford” shtypi vendas ka shpërthyer në vlerësime pozitive për lojën e tij, duke parë se i riu kishte neutralizuar Kristiano Ronaldon. Dhe Championsi është gjithmonë vitrina më e mirë. Falë paraqitjeve të tij në këtë kompeticion dhe mbi të gjitha falë barazimit spektakolar të marrë nga portugezët në Mançester, Sisoko ka hyrë në listën e dëshirave të shumë klubeve. Përveç Lionit, midis pretendentëve bënin pjesë edhe Bajerni i Mynihut, Totenhemi dhe Atletiko e Madridit. Në listë nuk bën pjesë Mançesteri, sepse ka Evranë. Ndoshta ka qenë kjo arsyea që Aliu ka zbuluar se edhe “djajtë” e Milanos mund ta bëjnë për vete. “Kur jetoja në Francë dhe luaja në kategorinë e dytë, ëndërroja të bëhesha si Evra”, ka thënë Sisoko.