30 qershor 2009

Torresi fton përforcime spanjolle

Fernando Torres ka bërë të ditur se ka rekomanduar tre bashkëkombës të tij spanjollë te menaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez. Sulmuesi beson se Liverpooli ka nevojë për “disa futbollistë kualitativë” për të fituar titullin e kampionit të Premierligës nga Manchester Unitedi dhe kërkon nga Benitezi të transferojë futbollistët David Silva, Juan Mata dhe David Villan nga Valencia.“Futbolli anglez është shumë i vështirë, sepse është tepër fizik dhe luhet në ritëm të lartë”, tha Torres. “Ne kemi ekip të shkëlqyeshëm të luajmë kundër klubeve të mëdha dhe jemi konkurrentë. Por, ndoshta kundër atyre që janë të nivelit më të ulët, nuk jemi mjaft të mirë. Duhet të përmirësohemi dhe mendoj se mundemi. Mendoj se mund të tregohemi më të fuqishëm në shtëpi. Ne kemi disa futbollistë shumë të mirë, por ndoshta kemi nevojë edhe për disa të tjerë. Shpresoj që Liverpooli të sjellë futbollistë si Silva, Mata ose Villa. Ata janë grup i vogël i futbollistëve me kualitet të lartë”, shtoi ai. Torres beson se me transferimin e tyre, Liverpooli do të arrijë në shkallë edhe më të lartë. “Këta janë futbollistë të mençur që mund të bëjnë dallimin”, përfundoi ai.