28 qershor 2009

Nikolas Burdiso: Nuk kam ndërmend të ndryshoj skuadër

Nikolas Burdiso çdo vit është nxjerrë në merkato dhe pavarësisht kësaj, ai ka qëndruar sërish te zikaltrit. Edhe kjo verë nuk do të jetë shumë pozitive për të, pasi Murinjo do të reduktojë repartin e mbrojtjes, pas konfirmimit të Materacit dhe hipotezës së ardhjes së Karvajos. “Ka qenë një sezon pozitiv për mua, fituam titullin dhe kjo është një gjë shumë e mirë për të gjithë skuadrën. Në nivel personal unë jam shumë i kënaqur – ka deklaruar Burdiso, – sepse kam luajtur shumë dhe kam një trajner të ri nga i cili kam mësuar shumë. Kam biseduar me të dhe më ka thënë se është shumë i kënaqur nga loja ime dhe se i kam dhënë shumë Interit. Për këtë arsye unë dua të qëndroj në këtë skuadër”. Mbrojtësi argjentinas ka bërë një koment edhe për Ibrën e Maikon, dy lojtarë thelbësorë për zikaltrit, të cilët janë në qendër të tratativave të merkatos: “Ibra dhe Maikon janë të shkëlqyer, shpresoj shumë që të qëndrojnë”.