28 qershor 2009

Oferta e Sitit, 22 milionë euro plus brazilianin Elano

Ka mbetur pezull tratativa midis Interit dhe Çelsit për Maikon, pasi klubi londinez është përqendruar te transferimi i mundshëm i Bosinguas te Bajerni i Mynihut. Tashmë e vetmja ofertë reale për mbrojtësin brazilian është ajo e Mançester Sitit, që është i gatshëm të ofrojë 22 milionë euro edhe Elanon. Por kjo skuadër nuk është shumë e pëlqyer nga Maikon, i cili është në pritje të rifillimit të bisedimeve me blutë, tratativë e cila përfshin edhe Dekon e Karvajon. Skuadra e Karlo Ançelotit i është afruar shumë vlerës së kërkuar nga Masimo Morati për brazilianin, por Interi është ende në dilemë, mbase edhe për të kënaqur sa më shumë brazilianin. Nga Afrika e Jugut, ku Maikon është i impenjuar me Kupën e Konfederatave, është bërë e ditur se ai është gati për ta lënë klubin e zikaltërve, për t’u bërë pjesë e formacionit anglez. Për pasojë, oferta e Mançester Sitit do të mbetet pezull deri në një lajm të ri nga Çelsi.