28 qershor 2009
Te “Zonja”, tani janë brazilianët në modë
Te Juventusi ka shpërthyer “Diegomania”. Fantazisti i Verder Bremenit është padyshim një ndër transferimet më të bujshme të kësaj merkatoje dhe sigurisht që nga sezoni i ardhshëm pritet ta forcojë edhe më shumë formacionin bardhezi. Diego nuk pritet që në Torino të sjellë vetëm më shumë gola dhe asiste për sulmuesit e Juventusit, por t’i japë më tepër fantazi “Zonjës së Vjetër”, që duhet thënë se i mungon prej kohësh këtij formacioni, gjithmonë e më shumë i përbërë nga lojtarë muskulozë. Gjithsesi, Çiro Ferrara, kreu i pankinës juventine, kërkon të ndërtojë një skuadër që të mendojë më shumë për fazën sulmuese, ndonëse mbrojtja e hekurt ka qenë gjithmonë pika e fortë e bardhezinjve. Më shumë fantazi, më shumë shpejtësi, më shumë spektakël, kërkesa këto që më tepër se kushdo tjetër mund të t’i sigurojnë vetëm lojtarët latino-amerikanë, më konkretisht futbollistët brazilianë të tipit “Diego”. Nëse ish-futbollisti e Verder Bremenit do të “ndriçojë” fazën sulmuese, por në ditët e fundit, drejtuesit e klubit juventin po mendojnë që t’i shtojnë edhe repartit të mbrojtjes dhe mesfushës të njëjtën fantazi që pritet të dhurojë Diego. Në këtë mënyrë, dy emrat e rinj që bëjnë pjesë në axhendën e drejtorit sportiv, Alesio Seko, janë ata të mbrojtësit dhe mesfushorit të Kombëtares braziliane, respektivisht Andre Santos dhe Felipe Melo. Ky i fundit tashmë është ambientuar me Serinë A dhe mbi të gjitha po spikat gjithmonë e më shumë në formacionin e Karlos Dungës në Kupën e Konfederatave. Melo, i cili ka mbërritur në sezonin e kaluar te Fiorentina është shndërruar menjëherë ndër pikat më të forta të skuadrës së Çezare Prandelit. Ai ndiqet me shumë vëmendje edhe nga Interi e Milani, por Juventusi është në avantazh kundrejt dy klubeve milaneze, pasi Fiorentina interesohet për mesfushorin bardhezi, Marko Markioni, dhe padyshim që bisedimet për një marrëveshje të mundshme mund të fillojnë në ditët e ardhshme. Felipe Melo vlerësohet të paktën 20 milionë euro, por nëse në këtë marrëveshje do të përfshihej edhe Markioni, Juventusi duhet të paguante jo më shumë se 15 milionë euro. Për mbrojtjen, pas alternativave të shumta të Grosos, Dosenës, Paskualit dhe Santakroçes, është Andre Santos emri që ka parakaluar listën e preferencave të “Zonjës së Vjetër”. Braziliani 26-vjeçar, i cili aktivizohet për Korinthiasin vlerësohet 6 milionë euro, ndonëse në ditët e fundit është përfolur për një shifër marramendëse për kartonin e tij, 20 milionë euro. Çmimi i ulët ka vënë në mendime drejtorin sportiv Alesio Seko, i cili pritet që në ditët e ardhshme, në përfundim të Kupës së Konfederatave të nisë sulmin e tij ndaj Andre Santosit. Me paraqitjet e tij të shkëlqyera, mbrojtësi i Korinthiasit ka blinduar krahun e majtë të mbrojtjes së “Seleçaos” dhe çdo ditë e më shumë është vënë në fokusin e klubeve më të mëdha evropiane.