30 qershor 2009

Adriano këshillon Balotellin

Sulmuesi brazilian, Adriano ka paralajmëruar ish-bashkëlojtarin e tij nga Interi, Mario Balotelli se do të jetë futbollist i madh vetëm nëse tregon qëndrimin e duhur. 27-vjeçari, i cili tani luan në Flamengo, ishte në gjendje të vështirë në prill dhe u largua nga Interi, për t’u kthyer në Brazil. Ai kishte probleme me alkool dhe lejoi që klubet e natës ta dekoncentrojnë nga futbolli dhe shpeshherë vonohej në stërvitje. “Balotelli do të jetë futbollist i mirë nëse kthen kokën e tij në vend”, tha Adriano për Gazzetta dello Sport. Sulmuesi 18 vjeç ka shkaktuar polemika të shumta në Itali. Ndërsa, Adriano ka bërë komente për ish-klubin e tij. “Përveç triumfit në Scudetto, Interi është në garë për Ligën e Kampionëve. Sezonin e kaluar na mungoi përvoja, edhe pse kemi treguar lojë të mirë kundër Manchester Unitedit”, shtoi Adriano, i cili lavdëroi trajnerin e Interit, Jose Mourinho. “Nga të gjithë trajnerët me të cilët kam punuar deri më tani, Jose Mourinho ishte më i miri. Kam mësuar shumë prej tij”, përfundoi ai.