30 qershor 2009

Lorik Canën e duan edhe sheikët e Sitit

Tashmë është zyrtare që Lorik Cana i ka bërë gati valixhet për t‘u larguar jo vetëm nga Marseja, por edhe nga Franca, megjithatë ende nuk e ka përcaktuar se cili do të jetë destinacioni i tij mes dy kampionateve të preferuara, Premier Leagues dhe Bundesligës. Sipas të atit, për momentin atij i pëlqen më shumë të luajë në kampionatin gjerman, megjithatë, interesi dhe ofertat më joshëse duket se vijnë nga ishulli britanik. Vargut të gjatë të skuadrave që interesohen për të, tashmë i është shtuar skuadra e sheikëve arabë, Mançester Siti. Lajmi është bërë i ditur dje nga e përditshmja angleze "Daily Telegraph", sipas të cilës skuadra e bosëve arabë po e mban në vëzhgim mesfushorin shqiptar të Olimpikut të Marsejës. Për momentin nuk ka një ofertë zyrtare, por asgjë nuk përjashtohet në ditët e ardhshme. Në Angli, Canën e duan edhe Liverpuli, Arsenali, Evertoni dhe Totenhemi. Madje, ky i fundit në ditët ka rifreskuar interesimin për të. Presioni i skuadrave të Premier Leagues është shtuar menjëherë pas deklaratës së drejtorit sportiv të Marsejës Hoze Anigo: "Nuk është se ai ka shprehur dëshirën për t‘u larguar. Por ka të bëjë thjesht me faktin se është prej katër sezonesh në këtë skuadër dhe tani dëshiron të provojë eksperienca të tjera. Ne jemi në pritje të një oferte të mirë për transferimin e tij". Kapiteni i Marsejës pëlqehet shumë nga trajneri i Totenhemit Herri Redknap, i cili po këmbëngul për blerjen e tij. Cana po mbahet nën vëzhgim edhe nga Hamburgu, oferta e parë e të cilëve (6 milionë euro u refuzua nga drejtuesit e Marsejës, pasi çmimi i kartonit të Canës është vlerësuar me 7 milionë euro nga klubi francez. Përveç Hamburgut janë edhe tri skuadra të tjera nga Bundesliga, të cilat janë të interesuara për shërbimin e shqiptarit si kampionët e Volfsburgut, Shtutgarti dhe Bajerni i Mynihut. Loriku, aktualisht 25-vjeçar, u largua nga Kosova në moshë të vogël së bashku me familjen e tij për t‘i shpëtuar luftës ndaj serbëve. Për t‘u bërë futbollist, ai është frymëzuar edhe nga i ati Agim Cana, i cili ishte një lojtar profesionist i njohur i Prishtinës. Pas një periudhe te Lozana në Zvicër, Cana kaloi në PSG, ku debutoi me të ekipin e parë vetëm në 2002. Më 2005 u transferua në radhët e Olimpikut të Marsejës, ku në 2007 i besuan edhe shiritin e kapitenit pas largimit të Habib Beye për te Njukastëll. Cana tani zotëron tri pasaporta zvicerane, shqiptare dhe franceze, por në kohën kur për të interesohej Arsenali (vetë Arsen Venger), ai kishte probleme me letrat dhe iu refuzua viza për në Angli.