15 qershor 2009
Maldini tundohet nga Çelsi i Ançelotit
Akoma pa boshatisur mirë dhomën e tij në “Milanelo” kanë ardhur ofertat të shumta pune për të. Dhe do të jetë shumë e vështirë që Paolo Maldini të rezistojë për një kohë të gjatë larg futbollit. Të premten, ish-kapiteni legjendar i Milanit, ka qenë në Londër. Një udhëtim për të takuar disa miq, një ndalesë para Majemit ku do të kalojë verën. Mbasdite ka vizituar qendrën “Kobham” ku Çelsi do të rifillojë të stërvitet nga ditët e para të korrikut nga Karlo Ançeloti. Më pas mbrëmjen e ka kaluar në shoqërinë e Andri Shevçenkos. Të shtunën në mëngjes dy lojtarët janë nisur me familjet respektive drejt Floridës. Sheva ka vazhduar drejt Bahamas me fëmijët dhe gruan Kristen, ndërsa familja Maldini ka qëndruar në Shtetet e Bashkuara. Në Majemi, është takuar me shumë shokë të tjerë, me të cilët ka luajtur tek Milani deri para pak javësh, që si çdo vit i kalojnë pushimet e verës nga ato anë. Kështu, Paolo do të ketë kohë për të reflektuar mbi të ardhmen e tij. Për momentin asnjë vendim nuk është marrë, teksa mund të marrë pozicionin e menaxherit të ekipit ose të zëvendësit të Ançelotit dhe sipas disa zërave marrëveshja është arritur tashmë. Në të vërtet, për momentin ish-kapiteni kuqezi ka mbledhur vetëm disa informata. Vizita e së premtes ka shërbyer për të kuptuar më mirë se çfarë roli mund të ketë në Londër. Sepse një gjë është e qartë: Maldini dëshiron të mbulojë një pozicion të vërtetë, operativ. Dhe nuk ka ndërmend të pranojë detyra simbolike ose që mund të mos kenë asnjë rëndësi brenda çështjeve të klubit