30 qershor 2009

Real, Kalderon përvetësoi 24 mln euro

Ramon Kalderon akuzohet se ka përvetësuar deri në 24 milionë euro gjatë qëndrimit prej dy vjetësh e gjysmë në krye të Realit të Madridit, duke "fryrë" artificialisht vlerën e futbollistëve të blerë. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja e kryeqytetit spanjoll, "Marca", sipas së cilës vetëm nga transferimi i Lasana Diarrasë, ish-presidenti "merengue" ka përfituar ilegalisht plot 4 milionë euro. Kjo është vetëm njëra prej shkeljeve të Kalderon, pasi gazeta thekson se ai ka bërë shumë më tepër se kaq. Komisionet për menaxherët, lojtarët dhe personave të tjerë të përfshirë në transfertat e sportit më popullor në botë, nuk janë të pazakonta, por shifrat e parave që 58-vjeçari ka futur në xhep kanë ngritur dyshime në gadishullin Iberik. Gjatë presidencës së tij, Reali ka bërë më shumë se njëmbëdhjetë blerje dhe Kalderon ka fituar minimalisht 1 milion euro për secilën marrëveshje. Detajet financiare të të gjitha operacioneve në merkato pritet të bëhen publike shumë shpejt. Sipas "Marca"-s, njëra prej transfertave që është konfirmuar është ajo e Fabio Kanavaros, i cili u ble në vitin 2006 nga Juventusi për 20 milionë euro. Kalderon ka përfituar 16.7 për qind të vlerës së shpenzuar nga klubi, duke marrë afro 3.34 milionë euro. Ai u detyrua të jepte dorëheqjen në janar të këtij viti dhe presidenti i përkohshëm, Visente Boluda, kërkoi ngritjen e një hetimi, i cili do të ekspozonte të gjitha llogaritë e klubit.Problematika e këtyre abuzimeve të Kalderon me detyrën është rikthyer në vëmendje vetëm pak orë përpara ngritjes së siparit të spektaklit "galaktik" të Realit. Sot, klubi do të shfaqë yjet e sapoblerë në merkato: gjithçka do të nisë me prezantimin "hollivudian" të Kakasë, i cili u ble nga Milani për 67.2 milionë euro. Braziliani ka filluar të shpagojë Florentino Perezin për investimin e bërë: vetëm brenda një jave, tifozët madrilenë kanë blerë 2000 fanella të mesfushorit, edhe pse ato kishin vetëm emrin, ndërsa numri mungonte. Në një periudhë të mëvonshme, kur do të vendoset nëse Kaka do të luajë me 10-ën, 18-ën apo 22-shin, klubi ka marrë përsipër t‘i pajisë të gjitha fanellat me numra. Secila prej "camisetave" kushtonte 85 euro dhe rezulton se në arkat e klubit janë derdhur 170 mijë euro. 27-vjeçari do të shfaqet për herë të parë si lojtar i Realit në orën 21.00. Orari nuk është i rastësishëm: Perez kërkon që prezantimi të zhvillohet në kohën kur edicionet kryesore të lajmeve janë në transmetim. Në "Bernabeu" priten 500 gazetarë të akredituar dhe 50 mijë tifozë. "Dua ta fitoj sërish ‘Topin e Artë‘. Për këtë objektiv, duhet të fitosh me klubin ku luan dhe unë kam fatin që jam pjesë e një skuadre, e cila të mundëson fitimin e shumë trofeve. Zgjodha Realin, sepse do të më ndihmojë të mbetem pjesë e historisë së futbollit", ka thënë Kaka për francezen "L‘Equipe". Më 6 korrik do të prezantohet Kristiano Ronaldo, lojtari më i shtrenjtë në histori.