30 qershor 2009

Largohet Raiç, Lonçareviç ultimatum

Tirana e nis fazën përgatitore për ndeshjet në turin e dytë eliminator të Champions League, por duket se në kampin bardheblu jo gjithçka po ecën sipas parashikimeve të drejtuesve. Kampionët në fuqi të Shqipërisë kanë udhëtuar pasditen e djeshme (në orën 16:00) nga kryeqyteti në drejtim të Ohrit, ku do të kalojnë edhe një fazë përgatitore dyjavore. Në dispozicion të trajnerit ishin të gjithë futbollistët, me përjashtim të portierit Blendi Nallbani, i cili mungonte për shkak të problemeve personale, dhe sulmuesit Migen Memelli, i cili vazhdon ende kurimin e tij në Belgjikë. Sipas drejtuesve të klubit, portieri Nallbani do t‘i bashkohet pjesës tjetër të ekipit vetëm ditën e sotme. Por duket se njeriu i pakënaqur i kësaj skuadre për momentin është trajner Ilija Lonçareviç, i cili nuk po merr përforcimet e premtuara nga kryedonatori Refik Halili. Dje u largua edhe mbrojtësi kroat Raiç, i cili u testua për disa ditë nga trajneri bardheblu, por siç duket ai nuk e ka bindur. Një burim i besueshëm brenda klubit ka bërë të ditur se tekniku Lonçareviç i ka kërkuar "bosit" bardheblu përforcime sa më shpejt që të jetë e mundur, sidomos një mesfushor dhe një mbrojtës, pasi çdo vonesë është në dëm të Tiranës. Ndërsa drejtori teknik, Alban Tafaj, garantoi se "përforcimet do të vijnë së shpejti", por nuk saktësoi as emra apo kombësi.