28 qershor 2009

Barça, shpenzime rekord për David Vilën

Barcelona është gati të kalojë shifrat që është mësuar të shpenzojë, për të blerë David Vilën. Ky i fundit u mendua të ishte mjaft pranë Realit të Madridit, por tashmë ka ndryshuar drejtim. Sulmuesi spanjoll është shumë pranë transferimit te katalanasit dhe për të tepër, do jetë protagonist i një transferimi mjaft të bujshëm për klubin e Laportës. Presidenti i Barçës është gati të ofrojë 45 milionë euro për kartonin e lojtarit. Kjo shifër, jo vetëm që pritet të bindë drejtuesit e Valencias, por do e bëjë Vilën blerjen më të shtrenjtë në historinë e Barcelonës. Edhe vetë lojtari ka pranuar që do firmosë me një klub spanjoll. “Nuk mund ta them se ku do transferohem, por di që do të jetë një klub spanjoll. Pas ditës së diel do zbulohet gjithçka”, tha ai nga Afrika e Jugut, ku është i grumbulluar me Kombëtaren. Një pjesë të shifrës që do paguajë Barcelona për David Vilën pritet ta kompesojë largimi i kamerunasit Samuel Eto, për të cilin janë interesuar mjaft klube të tjera evropiane.