30 qershor 2009

Rrush prej përforcimeve

Kampioni i Kosovës FC Prishtina, që nga përfundimi i kampionatit, është hedhur në aksion për t’i përforcuar radhët e veta për sezonin e ardhshëm. Pas Labinot Ibrahimit e Astrit Fazliut, bardhekaltrit e kanë hedhur edhe një ‘bombë’, pasi të hënën kanë transferuar katër futbollistë të tjerë: mesfushorët Taulant Dajaku (Drenica), Agon Ramadani (2 Korriku), Genc Sermaxhaj (Gjilani) dhe mbrojtësin Fidan Hasani (Flamurtari).Përforcimet e klubit bardhekaltër i kanë nënshkruar kontratat të hënën, në një konferencë për shtyp. “Ju kemi ftuar për t’ju njoftuar për zhvillimet e fundit në klub”, iu drejtua nënkryetari i klubit Afrim Muçiqi gazetarëve. – “Sot do të nënshkruajnë me ne 5 futbollistë. Taulant Dajaku për 2 vjet, Agon Ramadani 3, Fidan Hasani 3, Genc Sermaxhaj 3 e Astrit Fazliu 3”, deklaroi ai. Mesfushori Dajaku ndihej mjaft i lumtur që e zgjodhi Prishtinën si destinacionin e tij të radhës. “Me Prishtinën jemi marrë vesh që 3 muaj, për mua nuk kishin shumë rëndësi kushtet ekonomike. Prishtinës është vështirë t’i thuash jo. Është njëjtë si ta refuzosh Prishtinën si ta refuzosh për martesë Teuta Krasniqin. Përmes këtij klubi është më lehtë të dalësh jashtë. Ne duhet ta ndjekim rrugën e Dallkut e Currit”, tha Dajaku.Edhe trajneri Afrim Tovërlani ndihej i kënaqur me kryesinë e klubit, e cila ia solli këta futbollistë të rinj, por mjaft cilësorë. “Këta janë futbollistë që e kanë treguar veten në klubet e tyre, por këtë duhet ta bëjnë edhe në Prishtinë, ku duhet të tregojnë edhe më shumë”, tha ai. Trajneri më i mirë kosovar foli edhe për mbrojtësin e Vëllaznimit, Roland Duraku, të cilin e kërkon klubi prishtinas. “Ka mbetur që Rolandi të na kthejë një përgjigje. Nëse janë në pyetje 100-200 euro diferencë për një djalosh të ri si Rolandi, ai nuk na vyen”, shtoi Tovërlani.Me këta futbollistë sigurisht se Prishtina do të jetë e fortë edhe sezonin që vjen. Por, politika e Tovërlanit nuk e ka të obligueshëm titullin e kampionit. “Ne hyjmë me ambicie çdo vit. Ne e synojmë titullin e kampionit, por nuk e kemi imperativ apo të domosdoshëm. Ne synojmë që njëkohësisht ta ndërtojmë ekipin dhe të shkojmë drejt kreut të tabelës. Dëshirojmë që të jemi ekip i qëndrueshëm”, vazhdoi ai.Ndërkohë, Prishtina i ka vazhduar kontratat me dy futbollistë. Bëhet fjalë për sulmuesin Suad Saliagiq që nënshkroi për 2 vjet dhe për mbrojtësin Viktor Kukaj, +3 vjet. Gjithashtu Tovërlani njoftoi se afër marrëveshjes për vazhdimin e kontratës me klubin prishtinas është edhe mesfushori Azem Ahmeti. Prishtinasit paralajmëruan se nuk do të ndalen me kaq, sepse ata pritet të përforcohen edhe me disa futbollistë gjatë kësaj vere. Në anën tjetër, shtabi teknik i Prishtinës i ka liruar nga klubi Valon Krasniqin, Veton Shabanin e Burim Shabanin.