30 qershor 2009

Adriano pendohet: Mourinjo është më i miri

Ish-sulmuesi i Interit nuk i ka kursyer komplimentat për teknikun zikaltër dhe Mario Balotelin

“Perandori” po rilind në Brazil, por nuk e harron të kaluarën e tij tek Interi. Në pothuajse tetë vitet e kaluara në Itali momentet negative nuk kanë munguar, por tek zikaltërit Adriano ka lënë shumë miq. Tani skuadra e tij është Flamengo, prej të cilës është larguar në vitin 2001 dhe me të cilën deri tani ka zhvilluar katër ndeshje në më pak se një muaj, duke shënuar katër gola (një me penallti, një me goditje dënimi, dy me aksion), të gjithë në kampionatin brazilian. Ndërsa Brazili zhvillonte finalen e Kupës së Konfederatave kundër Sheteve të Bashkuara të Amerikës, Adriano stërvitej për derbin kundër Fluminenses, të zhvilluar ditën e djeshme. Ndërkohë, në një intervistë të dhënë për shtypin italian, sulmuesi nuk i ka kursyer komplimentat për trajnerin Hoze Mourinjo. Në fakt, ish-sulmuesi i Interit, e konsideron portugezin trajnerin më të mirë, me të cilin ka punuar në karrierën e tij.

- Adriano, Brazili ka marrë pjesë në Kupën e Konfederatave që zhvillohet në Afrikën e Jugut, ndërsa ju keni qëndruar me Flamengon për t’u përgatitur për derbin me Fluminensen. Nëse do të kishit patur mundësi për të zgjedhur, çfarë do të kishit bërë?

- Sinqerisht, nuk e di. Zemra ime do të zgjidhte Flamengon, por do të donte të ishte edhe me Seleçaon në një kompeticion kaq të rëndësishëm.

- Ju keni shënuar golin e parë në ndeshjen debutuese me Flamengon më 31 maj kundër Atletiko Paranense. Më pas nuk keni shënuar në dy takimet pasardhëse dhe të dielën e kaluar jeni rikthyer me një tregolësh kundër skuadrës së Internacionalit. Si është forma juaj atletike?

- Jam shumë afër gjendjes më të mirë. Duhet akoma të humb edhe disa kile për të arritur peshën time ideale. Këtu po punoj shumë në aspektin fizik dhe mendoj se këtë objektiv do ta arrij në pak kohë.

- Jeni informuar për lëvizjet e fundit të Interit në merkato?

- I ndjek shumë pak lajmet që vijnë nga Italia.

- Tek Interi do të shkojë një brazilian i ri, Tiago Mota, dhe pas tij mund t’i vijë radha edhe Felipe Melos. Flitet edhe për një kalim të Ibrahimoviçit tek Barcelona. Nëse këto zëra do të konfirmohen ku do të mund të arrijë Interi sezonin e ardhshëm?

- Me Tiago Motën dhe, ndoshta Felipe Melon, mund të zhvillojë një sezon të shkëlqyer. Përveç se të fitojë kampionatin është në gjendje të synojë edhe Champions Ligën.

- Pikërisht, Championsi. Edhe në sezonin e sapombyllur Interi është eleminuar shpejt. Pse ka ndodhur kjo?

- Ndoshta na ka munguar eksperienca. Kemi luajtur mirë në ndeshjen e parë kundër anglezëve, por më pas kemi qenë më pak të sigurtë në ndeshjen e kthimit dhe Mançester Junajtid është treguar superior.

- Nga të gjithë trajnerët me të cilët keni punuar gjatë karrierës tuaj, cili ka qenë më i miri?

- Nga të gjithë trajnerët me të cilët kam punuar deri tani, Mourinjo ka qenë më i miri. Kam mësuar shumë prej tij dhe nuk e harroj faktin se që në vitin 2008 kishte kundërshtuar shitjen time. Eshtë një njeri që i kupton shumë mirë lojtarët e tij dhe ka njohuri të mëdha përsa i përket aspektit taktik të futbollit. Duhet vetëm ta falenderoj për gjithçka që ka bërë për mua.Mourinjo ka qenë ai që më shumë se të gjithë ka dashur të më rikthejë tek Interi vitin e kaluar pas përfundimit të periudhës së borxhit tek San Paolo. Nuk donte që të largohesha. I jam shumë mirënjohës atij dhe të gjithë shokëve të skuadrës tek Interi. Të gjithë më kanë vlerësuar shumë.

- Nëse Ibrahimoviç largohet, Baloteli mund të gjejë më shumë hapësira. Mendoni se Mario mund të bëjë diçka më shumë në sezonin e ardhshëm?

- Baloteli do të luajë më shumë në sezonin tjetër, por duhet të jetë më i qetë. Gjithsesi, është me të vërtet një sulmues i madh.