28 qershor 2009

Arnautoviç: Dua të luaj vetëm me Ibrën

Marko Arnautoviç nuk po i shijon pushimet, pasi fraktura në këmbë dhe tratativa e mbetur pezull për transferimin tek Interi janë bërë një pengesë shumë e madhe për sulmuesin e Tuentes. Megjithatë, ai vazhdon të mendojë pozitivisht, pasi të hënën drejtuesit e klubit zikaltër do të shkojnë në Holandë për të finalizuar marrëveshjen. Marko, si jeni aktualisht? Mirë, por ky dëmtim nuk duhej të kishte ndodhur tani. A mund të na tregoni se çfarë ndodhi? Në prill ndjeja dhimbje në këmbën e djathtë, por asnjë nuk mendonte se problemi do të ishte kaq i madh, asnjë nuk e kuptoi që ishte thyer diçka. Kam luajtur gjithmonë, deri në fund të Kupës së Holandës, kur pas vetëm 10 minutash lojë u detyrova të dal nga fusha. Aty e kuptuat që problemi ishte serioz? Pikërisht. Ka qenë shumë e vështirë, sidomos kur më thanë që diçka ishte thyer. Kur do të jeni gati për t’u rikthyer në fushë? Nuk e di, do të kem nevojë për 2, 3 ose 4 muaj. Mund të kthehem në gusht ose në shtator, por do të jem sërish në maksimumin e formës sime. Nuk është problem për mua, pavarësisht se sa kohë do më duhet të pres. Ndërkohë jam duke punuar që të mbaj në formë muskulin e këmbës. Me pak fjalë, nuk do të bëni pushime? Jo, do të punoj për të ardhmen time. Fizioterapi dhe palestër: kjo verë do të jetë kështu. Tratativa me Interin në çfarë pike ka arritur? Po pres që të dyja klubet të bien dakord. Nuk e di sesi do të përfundojë. Por, a keni ndonjë shpresë? Unë dua të luaj tek Interi në Serinë A, një kampionat që më tërheq shumë. Interi është skuadra më e mirë italiane dhe kur kam mësuar që është interesuar për mua, isha shumë i kënaqur. Ofertat nga klubet e tjera nuk më interesojnë aspak. Tek Interi luan edhe idhulli juaj, Zlatan Ibrahimoviç? Ibra është një nga më të mirët në botë dhe nuk është vetëm idhulli im, por edhe i të gjithë atyre që janë afër futbollit. Më pëlqente jashtë mase që kur u transferua nga Holanda te Juventusi. Është një lojtar i shkëlqyer dhe një njeri shumë i mirë. Pra, ju shpresoni që të transferoheni në Milano. Natyrisht që po. Shumë njerëz mendojnë se ju mund të jeni Ibra i ardhshëm. Është një kompliment i bukur, apo jo? E lëmë fare më mirë... Unë jam vetëm një djalë, ai është një kampion dhe nëse do të shkoj tek Interi, nuk mund të jem kurrë në nivelin e tij. Ibra mund të më mësojë shumë gjëra dhe unë duhet t’i ndjek këshillat e tij dhe të kampionëve të tjerë, që veshin fanellën zikaltër. Trajner do të kishit Murinjon. Çfarë mendimi keni për të? Për të flasin vetë faktet. Është një teknik i madh, një nga më të mirët. A keni biseduar ndonjëherë me të? Vetëm një herë, në telefon. Më ka telefonuar dhe më ka thënë që më donte në skuadër. Më bëri me të vërtetë përshtypje. Nëse do t’ju kërkonim ta përshkruanit veten si lojtar, çfarë fjalësh do të përdornit? Nuk më pëlqen të flas për veten. Ndërsa tifozëve të Interit dua t’u them të më presin dhe të më shohin, pastaj të më gjykojnë vetë ata. Nga Holanda sigurojnë se ju mund të luani edhe si mesfushor, edhe si sulmues krahu. A e konfirmoni një gjë të tillë? Po, në sulm mund të mbuloj shumë pozicione, edhe atë të fantazistit. Të dielën trajneri i Tuentes ka ardhur në Vjenë për të biseduar me ju. Çfarë i thatë? Që dua të luaj me Interin. Dua të shkoj atje. A mendoni ndonjëherë për Ligën e Kampionëve? Është ëndrra ime e fëmijërisë, sepse Champions-i është kompeticioni në të cilin marrin pjesë vetëm më të mirët. Kampionati italian është shumë i mirë, por në Ligën e Kampionëve është edhe Real Madridi, Barcelona, Mançester Junajtid, me pak fjalë, ajka e gjithë futbollit botëror. Shpresoj që ta ndihmoj Interin që ta fitojë. Çfarë doni t’u premtoni tifozëve zikaltër? Që kur të jem gati, do të jap maksimumin për fanellën zikaltër. A mund të na tregosh përshtypjet e para për Milanon si qytet? Kam qenë një herë, për të bërë vizitat mjekësore. Është metropol. Do të jem mirë aty. Keni filluar të mësoni italisht? Jo, ende jo, por shumë shpejt do të filloj të marr leksione. Prisni ndonjë telefonatë? Patjetër që po, shpresoj të vijë sa më shpejt.