28 qershor 2009
Shokon Fabregasi: Dua të iki te Reali
Trajneri Arsen Venger ka marrë me të vërtetë një lajm mjaft të keq, përsa i përket sezonit të ardhshëm. Me shumë mundësi, ai do detyrohet të shesë yllin e tij, Cesk Fabregas. Ka qenë pikërisht ky i fundit që ka kërkuar të largohet dhe pikërisht te Reali i Madridit. “Familja ime është katalanase dhe tifoze e Barcelonës, por jam i bindur që do më kuptojnë nëse transferohem në Madrid”, ka thënë ai përsa i përket problemeve në familje. Ndërkohë, ka shpjeguar edhe arsyet e një vendimi të tillë. “Florentino Perez më ka kërkuar në skuadrën e tij dhe unë jam gati të shkoj. Tek Arsenali nuk po fitoj asgjë dhe u lodha duke mos marrë asnjë trofe. Edhe Kristiano Ronaldo vendosi të shkojë në Madrid, pasi me Mançesterin fitoi gjithçka dhe nuk ishte më i motivuar. Ashtu jam edhe unë, por sepse unë e di që nuk mund të fitojmë gjë. Në sezonin që përfundoi ne dhamë më të mirën tonë, provuam me të gjitha forcat, por ishte e pamundur të ishim në nivelin e kundërshtarëve. Te Reali do formojmë një ekip shumë të fortë, i cili do fillojë një epokë mjaft të suksesshme. Shpresoj që të transferohem së shpejti”, tha spanjolli Fabregas, kartoni i të cilit është vlerësuar rreth 40 milionë euro. Media britanike mendon se kanë qenë pikërisht shokët e Kombëtares, ata që e kanë bindur të lërë “topçinjtë” dhe të rikthehet në Primera Divizion, por këtë herë me rivalët e Barcelonës.