30 qershor 2009

Siti, ofertë "monstruoze" për Eto‘o

Mançester Siti ka bërë një ofertë stratosferike për kamerunasin Samuel Eto‘o. Pas publikimit në mediat britanike, lajmi është konfirmuar edhe nga presidenti i Barcelonës, Joan Laporta. Emri i 28-vjeçarit, i cili ka edhe një vit kontratë me kampionët e Spanjës dhe të Europës, qarkullon prej kohësh në merkaton angleze, duke qenë objekt dëshirash për disa skuadra nga Premiershipi. Fillimisht Eto‘o kishte deklaruar se nuk ishte i interesuar në transferimin te Siti, por sheiku Mansur Bin Zajed Al Nahjan është i vendosur që të shpenzojë shifra marramendëse për afrimin e sulmuesit, që realizoi 36 gola në sezonin ku Barça fitoi tre trofetë më të rëndësishëm ku konkurronte: La Liga, Kupa e Mbretit dhe Champions. "The News of the World" shkruante se "Sitizëns" do të paguajnë 30 milionë euro (25 milionë sterlina) në arkat e katalanëve për kartonin e futbollistit. Gjatë ditëve të ardhshme, ai pritet të paraqitet në zyrat e klubit anglez për të firmosur kontratën e propozuar. Fillimisht Eto‘o pretendoi 240 mijë euro (200 mijë sterlina) rrogë neto në javë, por do të pranojë kontratë 5-vjeçare, nga e cila mendohet se do të përfitojë 216 mijë euro (180 mijë sterlina) neto në javë, të cilave do t‘u shtohen edhe shpërblimet për realizimin e objektivave personale dhe sukseset e skuadrës së Hjuxhs. Gjithsesi, shifrat financiare ende nuk janë zyrtare.
Laporta beson se kapiteni i përfaqësueses së Kamerunit nuk do të jetë në gjendje të refuzojë një ofertë të tillë, pavarësisht se klubi i drejtuar prej tij ka filluar prej kohësh bisedimet për qëndrimin e mëtejshëm të lojtarit në "Kamp Nou". "Et‘o ka marrë një ofertë ‘monstruoze‘ nga Mançester Siti, e cila do ta shndërronte në lojtarin më të paguar në botë, deklaroi Laporta për radion katalane ‘iCat FM‘. Është e qartë se për këtë futbollist, drejtuesit e klubit anglez synojnë të shpenzojnë shifra stratosferike. Ai dëshiron të qëndrojë, por është shumë e vështirë të refuzohet një ofertë e tillë. Eto‘o do të fillojë fazën përgatitore me skuadrën dhe më pas Pep (Guardiola, trajneri i Barçës) do të vendosë nëse lojtari do të qëndrojë". Laporta la të nënkuptohej se me largimin e sulmuesit kryesor, Barça do të hidhej sërish në sulm për të siguruar shërbimet e yllit të Valencias, David Vija. "Nëse Eto‘o pranon ofertën e jashtëzakonshme të Sitit, atëherë do të na nevojitet një tjetër sulmues. Drejtori ynë teknik, Çiki Begirishtajn, do të vendosë se cilat janë hapat që duhen ndjekur. Riberi? Lojtari e di se gëzon admirimin tonë, por nëse Bajerni nuk dëshiron ta shesë, duhet ta respektojmë vendimin e tyre".
Ndërkohë, të mërkurën Siti pritet të zyrtarizojë blerjen e Karlos Tevez, i cili do të firmosë një kontratë 4-vjeçare. Ata paguan 36 milionë euro (30 milionë sterlina) për këtë transferim, ndërsa argjentinasi do të përfitojë 168 mijë euro (140 mijë sterlina) në javë. Deri më tani, arabët kanë shpenzuar mbi 35 milionë euro për afrimin e Gareth Berri (14.2 milionë euro) dhe Roke Santa Kruz (21.3 milionë euro).