Kanë një datë skadence. Ka nga ata që duhet të përshëndeten menjëherë (2009), nga ata që mund ta bëjnë këtë më vonë (2010) dhe nga ata që luftojnë për një rinovim. Këta të fundit janë të shumtë. Duke filluar nga lojtarët simbol të Juventusit dhe Romës: Del Piero dhe Toti. Për këta të dy, deri tani nuk ka ardhur asnjë telefonatë nga klubet respektive. Eshtë shpejt, në verë vijnë në fillim pushimet dhe më pas merkato. Por do të jetë një vjeshtë shumë e nxehtë për të dy, do të duhet të diskutojnë për kontratat e tyre, që skadojnë pas një viti. Kapiteni jeventin pret një sinjal dhe, pavarësisht se është një profesionist serioz, nuk do të presë deri në datën 30 qershor të 2010-ës për të folur me klubin. E njëjta gjë vlen edhe për kapitenin romanist, në pritje për t’u ulur rreth një tavoline me pronarët e skuadrës (që mund të jetë Rosela Sensi ose dikush që mund ta blejë klubin gjatë verës). Ndoshta me dëshirën që kjo çështje të mos zgjatet shumë dhe të mbyllet sa më shpejt (e pamundur të arrihet një marrëveshje para shtatorit). Ndërkohë, lojtarët që janë të lirë që tani janë shumë cilësorë. Tek kjo kategori bëjnë pjesë Panuçi (tundimi i fundit është Parma), Nedved (për të cilin janë interesuar Interi, Parma dhe Lacio), Kruz (në negociata me Panathinaikosin) dhe i riu premtues Guberti (sot do të zhvillohet një takim me Romën, gati një kontratë katërvjeçare). Lojtarët e tjerë të rëndësishëm, të cilëve u skadon kontrata në 2010-ën janë të shumtë. Fillohet me Ambrozinin: milanisti në ditët në vazhdim do të ketë një takim me Galianin, i cili synon t’i rinovojë kontratën. Ndërsa, Inzagi e diskuton gjithmonë në fund të çdo viti situatën e tij. Dhe në 2010-ën, në moshën 37 vjeçare, do të marrë një vendim bashkë me klubin. Më delikate duket se do të jetë situata për Perrotën, Rubinjon (ka oferta nga Greqia, do të largohet menjëherë), Maksuellin, Vieiranë, Zanetin e Juventusit, De Silvestrin që (e ka kërkuar Fiorentina) dhe, mbi të gjitha, çështja e lojtarit vjollcë Paskual dhe ajo e lacialit Pandev. Për të dy këta interesohet Juventusi. Në veçanti, bardhezinjtë, po punojnë pa rënë në sy për sulmuesin maqedonas. Duket se marrëveshja me lojtarin është arritur (i është ofruar një kontratë katërvjeçare me 2,5 milion euro në sezon), por më parë duhet shitur Trezege për të mbushur arkat. Janë nxjerrë në merkaton aktuale romanistët Kaseti, Toneto, Montela dhe Tadei. Ndërkohë, do t’i rinovohet kontrata Pizarros.
ATA TE 2009-ës - Janë edhe ata, që e kanë gjetur një sistemim. Krespo tek Xhenoa, Bianko te Atalanta, Korradi tek Udineze, Kampanjolo tek Katania. Ndërsa, Jorgensen ka rinovuar sërish me Fiorentinën. Janë edhe ata që presin të sistemohen ose që të rinovojnë kontratën. Për Ventolën ka ardhur një ofertë nga Kaljari. Tek Bolonja, Bombardini, Amorozo dhe Antonioli do të rinovojnë (do të largohen Kastelini, Konfalone dhe Sezar). Ashtu si Fini dhe Lopez tek Kaljari. Nga Katania dalin katër lojtarë: Stovini pëlqehet nga Parma, Bolonja dhe Siena, për Baiokon interesohet Rexhina. Silvestri mund të përfundojë tek Sasuolo. Do të largohen nga klubet respektive edhe De Ashentis (Atalanta), Falkone (Parma), Xhianelo (Napoli) dhe Sala (Udineze).
ATA TE 2010-ës - Këtu janë dhe emrat e Didës e Kalacit, konfirmimi i të cilëve tek Milani duket i vështirë. Drejt skadencës është edhe Simplisio (dhe palët janë shumë larg arritjes së një marrëveshjeje). Ndërsa, Breshiano prej kohësh tërhiqet nga Premier Liga. Tek Atalanta është Doni: varet nga ai, nëse do të tërhiqet është gati një vend si drejtues për të.