15 qershor 2009
Juvja kërkon trashëgimtarin e Trezegesë
Gjithçka do të varet nga e ardhmja e Trezegesë, por tek Juventusi kanë shkurtuar në katër emra listën për trashëgimtarin e francezit. Një katërshe sulmuesish ku është rikthyer bindshëm Huntelar, sulmuesi i ri i Realit të Madridit, prej kohësh në shënjestrën e bardhezinjve. Alternativat të renditura sipas mundësive janë i “zakonshmi” Pandev, por edhe i riu Akuafreska. Ndërsa, çmimi i lartë ka frenuar entuziazmin për Xhiuzepe Rosin. Tek Juventusi nuk e fshehin faktin se janë gati të dëgjojnë të gjitha ofertat, që mund të vijnë për Trezegenë dhe për këtë arsye po përgatiten për të gjetur një zëvendësues në lartësinë e duhur. Dhe Huntelar duket perfekt. Jo vetëm për nga karakteristikat teknike. Në fakt, hollandezi e ka rrugën të bllokuar në Realin e “galaktikëve” të rinj. Sulmuesi 26-vjeçar është nxjerrë në merkato nga madrilenët: 12 milion euro është çmimi që kërkohet, por është parashikuar edhe një kalim borxh i lojtarit për 2 milionë euro me të drejtën për ta blerë përfundimisht pas një viti. Një zgjidhje perfekte për një Juve, që mendon gjithmonë për bilancin. Gjithsesi, rruga që është ndjekur më shumë gjatë kësaj periudhe është ajo që të çon drejt Pandevit. Maqedonasit i skadon kontrata në vitin 2010-të dhe do të transferohej me dëshirë në Torino. Duhet “vetëm” të bindet Lotito, i cili kërkon shumë (më shumë se dhjetë milion euro), dhe nuk ka ndërmend të ulë kërkesën. Lajmi i orëve të fundit ka të bëjë me Akuafreskën. Ish-lojtari i Kaljarit, tani i Xhenoas, mund t’i interesojë Juventusit. Që në avantazhin e vet ka faktin se mund të përfshijë në marrëveshje Paladinon dhe Krishiton. Me Flokarin dhe Krespon para vetes, Robert rrezikon të gjejë pak hapësira edhe tek xhenoanët, kështu që vlen të provohet një eksperiencë tek një ekip i madh. I fundit, por vetëm për mundësitë e vogla që kanë bardhezinjtë për ta marrë, Xhiuzepe Rosi. Pengesa ka të bëjë me çmimin: 25 milion euro. Një shifër shumë e lartë për Juventusin e sotëm. Nëse Vilareali nuk pranon një shkëmbim me Trezegenë (plus parà). Nuk do të jetë e lehtë të arrihet një marrëveshje.