Kur ka mbetur edhe një xhiro deri në përfundimin e kampionatit, ende nuk dihet emri i skuadrës së gjashtë që do t’i thotë lamtumirë Superligës.
Trepça ’89, Drenica, Ferizaj, Hysi, Flamurtari e Kosova (V) rrezikojnë të bien nga liga. Ndërsa Prishtina ka ngritur trofeun e dytë të njëpasnjëshëm.
Istogu – Ferizaj 2:3
Ferizaj ka shënuar fitore të artë, pasi të dielën e mposhti si mysafir Istogun me rezultat 2:3 në kuadër të xhiros së parafundit të kampionatit. Me këtë fitore, Ferizaj ka rritur dukshëm gjasat për qëndrim në elitën e futbollit kosovar. Istogu ka kaluar në epërsi prej 1:0 në minutën e 4-t me golin që e ka shënuar Përparim Demiraj. Epërsinë e Istogut në 2:0 e ngriti sërish Demiraj në minutën e 24-t.
Por, ferizajasit nuk u dorëzuan dhe tre minuta më vonë ngushtuan epërsinë e Istogut në 2:1, me golin fantastik që e realizoi Avdyl Haliti. Ky gol motivoi futbollistët mysafirë dhe në minutën e 44-t ata barazuan rezultatin në 2:2 nëpërmjet Astrit Fazliut. Ndërsa rezultatin përfundimtar 2:3 për Ferizajn e vuri Fitim Sadriu, atëherë kur pritej fishkëllima e fundit e gjyqtarit. Por nga minuta e 73-të, Istogu ka luajtur me në lojtarë më pak pasi Medin Arifaj u përjashtua nga ndeshja, pas dy kartonëve të verdhë.
Prishtina – Vëllaznimi 2:2
Ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Vëllaznimit ka përfunduar me rezultat të barabartë, 2:2. Mysafirët kanë kaluar në epërsi prej 0:1 në minutën e 7, me golin që e realizoi Robert Gjeraj nga pika e bardhë. Avantazhin e Vëllaznimit në 0:2 e ngriti Alban Dylazeka në minutën e 13. Kurse rezultatin në 1:2, Prishtina e ngushtoi në minutën e 57 nëpërmjet sulmuesit të rrezikshëm, Berat Hyseni. Prishtina ka barazuar rezultatin në 2:2 krejt në fund të takimit, me golin që e shënoi Suad Saliagiq. Meqenëse kjo ishte ndeshja e fundit këtë edicion që Prishtina e zhvilloi në shtëpi, nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi me bashkëpunëtorë ia dhuroi Kupën e kampionit skuadrës bardhekaltër. Kjo është hera e dytë radhazi që ekipi i udhëhequr nga Afrim Tovërlani stoliset me titullin e më të mirit.
2 Korriku – Drenica 0:2
Drenica ka shënuar fitore të rëndësishme si mysafire e 2 Korrikut, me rezultat 0:2, e cila ia mban gjallë shpresat kësaj skuadre në luftë për mbijetesë. Kuqezinjtë kanë kaluar në avantazh prej 0:1 në minutën e 58 nëpërmjet Taulant Dajakut. Epërsinë e Drenicës 0:2 e ngriti Hysni Kabashi në minutën e 89.
Gjilani – Trepça ’89 1:0
Gjilani ka siguruar mbijetesën pasi e mposhti Trepçën ’89 me rezultat minimal 1:0. Golin e vetëm për gjilanasit e ka shënuar Genc Sermaxhaj, i cili realizoi një gol fenomenal. Me këtë humbje dhe pas fitores së Ferizajt e Drenicës nga Istogu, përkatësisht 2 Korriku, Trepça ’89 është skuadra më e rrezikuar për të rënë nga elita. Ndeshjen e fundit kjo skuadër e zhvillon ndaj rivalit të saj lokal, Trepçës, ku duhet të fitojë patjetër, me shpresë që të gabojë Drenica, Ferizaj, Flamurtari apo Hysi.
Hysi – Flamurtari 3:1
Hysi e ka mposhtur Flamurtarin me rezultat 3:1, me të cilën fitore llapjanët kanë bërë hap të madh në luftë për mbijetesë. Kurse Flamurtari tani është më i rrezikuar. Hysi ka kaluar në epërsi prej 1:0 në minutën e 4-t me golin që e shënoi Labinot Osmani. Flamurtari e barazoi rezultatin në 1:1 në minutën e 31-të nëpërmjet Artan Gashit. Hysit fitoren ia siguroi Qëndrim Kida dhe Gëzim Gashi në pjesën e dytë të takimit.
Besa – Besiana 6:0
Besa e ka mposhtur Besianën me rezultat të thellë 6:0. Në minutën e 9, Arlind Ahmeti hapi serinë e golave për pejanët. Kurse Haxhi Zeka shtoi epërsinë e Besës në 2:0 në minutën e 28. I njëjti futbollist shënoi edhe një herë nga gjuajtja e lirë për ta mbyllur pjesën e parë në 3:0. Kurse në pjesën e dytë pejanët shënuan edhe tri gola. Egzon Gashi shënoi në minutën e 70 dhe të 80 për rezultat 5:0, ndërsa Granit Çekaj realizoi gol në minutën e 82-të për rezultat përfundimtar 6:0 në favor të Besës.
Ulpiana - Kosova (V) 4:5
Kosova e Vushtrrisë është shumë afër ta sigurojë mbijetesën në Superligë, pasi e mposhti në udhëtim Ulpianën me rezultat 4:5. Dy gola për Kosovën në këtë takim i ka shënuar Zuqaku, kurse nga një gol e kanë realizuar Maxhuni, Zeneli dhe Jashari. Ndërsa për Ulpianën golat i realizuan Shabani, Kelmendi, Pacolli dhe Osmani.
Trepça – Drita 5:3
Trepça e ka mundur Dritën e Gjilanit me rezultat 5:3 dhe në këtë mënyrë ‘Xehetarët’ edhe matematikisht siguruan qëndrimin në elitë. Golat për Trepçën në këtë takim i kanë shënuar Isufi, Osmani, Kaqiu, Sejdiu dhe Nimani. Kurse për ekipin gjilanas golat i shënuan Aliu, Kastrati dhe Kryeziu.
Tabela
1. Prishtina 29 22 57
--------------------------------------
2. Besa 29 15 50
3. Gjilani 29 10 47
4. Vëllaznimi 29 11 46
5. Trepça 29 1 46
6. Kosova (V)29 10 45
7. Hysi 29 15 43
8. Ferizaj 29 4 43
9. Flamurtari 29 -5 43
10. Drenica 29 9 42
---------------------------------------
11. Trepça ’89 29 7 42
12. Ulpiana 29 -7 36
13. Istogu 29 -13 32
14. 2 Korriku 29 -19 26
15. Besiana 29 -40 26
16. Drita 29 -17 23
Xhiroja e 30, e fundit, zhvillohet më 14 qershor dhe takohen: Kosova (V)-Gjilani, Ferizaj-Besa, Trepça ’89-Trepça, Vëllaznimi-Istogu, Flamurtari-Ulpiana, Besiana-Hysi, Drenica-Prishtina dhe Drita-2 Korriku.