12 qershor 2009

Pirlo mendon për Çelsin, Sedorfi e refuzon

Mesfushori “axurr” lë dyshime mbi të ardhmen e tij, ndërsa holandezi tha: Do të qëndroj te Milani
Në Afrikën e Jugut, Kakà, shfaqet kudo në reklamat elektronike me fanellën e Milanit që e hoq një herë e përgjithmonë. Sa herë që Rino Gatuzo dhe Andrea Pirlo e shohin, ndiejnë një humbje krenarie. “Rino nuk e ka marrë mirë largimin e Kakàsë”, - siguron Xhixhi Bufon. Kur kishte dëshirë të largohej ai (Mançester Junajted, vetë 2002), të gjithë e sulmonin. Tani që ikën Ançeloti e Kakà, e ndjen të thotë se nuk do të largohet asnjë. Qëndroi duke parashikuar suksese me kuqezinjtë, por shikon një të ardhme të lodhur nën shpinën e Ronaldinjos në një Milan të ridimensionuar. I këtij mendimi është edhe Andrea Pirlo: “Kështu vendosën. Iku një njeri dhe një lojtar i madh. Duhet kohë për të gjetur një të tillë dhe nuk do të jetë e lehtë”. Nuk e beson se paratë e fituara mund ta kompensojnë nisjen: “Duhen parà për të shëndoshur bilancin, - e pranon Pirlo. - Është sinjali i një momenti jo të mirë në futbollin italian. A do të largohem edhe unë? Të shohim. Për momentin jo, më pas të shohim”. Ançeloti e thërret, Pirlo tundohet. Çelsi kërkon të bëjë investime të mëdha vetëm te lojtarët e rinj. Kërkoi Ksabi Alonson dhe zbuloi që e do edhe Reali i Madridit. Ançeloti s’ka kërkuar “Hënën”, ndaj Abramoviçi mund ta kënaqë me Pirlon (kuqezi deri në 2011-ën), edhe pse Milani mund të thotë “po” për më pak se 30 milion euro. “Të shohim”, - thotë Pirlo. Siç thoshte shpesh Kakà, ndryshe nga milanisti tjetër Sedorf, që refuzon thirrjen e Ançelotit nga Londra: “Jam i lumtur që Ançeloti më do te Çelsi, - tha holandezi, duke mbyllur zërat e merkatos, - por do të qëndroj te Milani edhe sezonin e ardhshëm. Është një lajm i mirë për mua, por nuk iki që këtu. Kam një kontratë dhe ndihem mirë. Shpresoj të luaj akoma edhe për 3-4 vjet. Pastaj do të kem para meje një jetë të tërë për të bërë gjithçka”.