12 qershor 2009
Kupa e motivon Hysin
Pas triumfit në Kupën e Kosovës të enjten, Hysi synon që në sezonin e ardhshëm ta rrëmbejë titullin e kampionit. Kështu ka thënë sekretari i këtij klubi, Agim Luta. Sipas tij, triumfi i skuadrës së tij ndaj FC Prishtinës në finale (1:2) ishte i merituar.“Kemi punuar shumë në të gjitha aspektet për ta fituar këtë trofe. Është një sukses i madh për Hysin, pasi ky klub i formuar në vitin 2002 shumë shpejt arriti te trofeu. Sikurse lojtarët e Prishtinës, edhe futbollistët tonë kanë moshë të re. Por, futbollistët e Hysit ia dolën me meritë të triumfojnë ndaj përvojës më të madhe që kanë ata të Prishtinës”, deklaroi Luta për Express. Ai tha se në sezonin që vjen, Hysi do të jetë kandidati më serioz në elitën e futbollit kosovar për ta fituar titullin e kampionit.“Do t’i bëjmë disa përforcime. Madje veç kemi filluar bisedimet me 5-6 lojtarë kosovarë, emrat e të cilëve nuk dua t’i bëj publikë. Kështu në sezonin e ri Hysi do të jetë ekipi më favorit për titullin e kampionit. Nuk do të sigurohet titulli i kampioni dhjetë xhiro para fundit të kampionatit nga skuadrat tjera. Hysi nuk do ta lejojë më të ndodhë një gjë e tillë”, theksoi Luta i cili potencoi se do të punohet edhe në stadiumin e kësaj skuadre në Merdare për t’ua plotësuar kushtet tifozëve llapjanë që ta përkrahin Hysin. Ndërsa njëri ndër futbollistët më të spikatur në këtë ekip, Enis Zabërxha tha se Hysi do ta sigurojë mbijetesën këtë stinor. “Pas kësaj fitoreje, Hysi është motivuar shumë dhe sigurisht që do t’ia dalim ta sigurojmë mbijetesën këtë stinor. Ne kemi skuadër që mund të luftojë për titull të kampionit dhe kjo u dëshmua në ndeshjen finale, pasi e mposhtëm kampionin me plotë meritë. U gëzova shumë. Ky ishte trofeu i parë i Hysit dhe i pari në karrierën time”, tha Zabërxha.Pas humbjes nga Hysi në ndeshjen finale, trajneri i Prishtinës, Afrim Tovërlani ka kritikuar gjyqtarët e takimit me arsyetimin se e kishin dëmtuar skuadrën e tij. Por, Zabërxha nuk ka dashur të flasë shumë rreth gjyqtarëve të asaj ndeshjeje. “Nuk dua të flas rreth ndarjes së drejtësisë dhe reagimeve të Prishtinës. Nuk duhet harruar se fusha ka qenë shumë e rrëshqitshme. Në momentin kur rrëshqitnin dhe rrëzoheshin futbollistët prishtinas, banka e tyre menjëherë kërkonin faull. Aty referi nuk ka faj”, tha ai. Dy xhiro pa përfunduar kampionati i sivjetmë, Hysi zë vendin e nëntë në tabelë me 40 pikë të tubuara.