14 qershor 2009
Morati: Besoj se Ibrahimovici do të qëndrojë
“Ibrahimoviç? Të shohim nëse dikush do të na bëjë ndonjë ofertë që plotëson kushtet e Interit dhe të lojtarit, përndryshe asgjë nuk do të ndryshojë. Besoj se edhe këtë herë do të qëndrojë”. Këto kanë qenë fjalët e Moratit në lidhje me të ardhmen e sulmuesit suedez. “Bashkë me Laportën kemi menduar se ndoshta do të ishte më mirë sikur të mbanim lojtarët që kemi”. Për sa i përket Maikonit. “Eshtë i jashtëzakonshëm, nuk kemi dëshirë ta nxjerrim në merkato. Mbi Dekon nuk kemi vendosur akoma asgjë dhe jemi në kërkim të një mbrojtësi cilësor”. Presidenti i Interit, Masimo Morati, ka folur edhe për takimin që ka patur para disa ditësh me presidentin e Barcelonës, Laporta: “Ka qenë një takim i bazuar tek kurioziteti reciprok në lidhje me lajmet që lexonim në gazetë, - ka thënë presidenti zikaltër -, ku flitej për dëshirën e Ibrës për të shkuar tek Barcelona dhe ne donim të kuptonim se çfarë interesi kishte nga ana e tyre. Por kemi kuptuar se secili nga ne ishte i lidhur me lojtarin e tij, unë flisja mirë për Ibrën, ai fliste mirë për Etonë. Ndoshta do të ishte më mirë që të qëndronin aty ku janë. Duhet të presim pak për të parë nëse ekziston një ide që i kënaq të gjithë. Përndryshe asgjë nuk do të ndryshojë. Jemi shumë të kënaqur me Ibrahimoviçin, që për mua është lojtari më i mirë në qarkullim, dhe ata janë të kënaqur me Etonë”. Në lidhje me emrat e shumtë që qarkullojnë rreth Interit. “Lexoj shumë emra interesantë në gazeta, por nuk ka merkato. Më pas Reali na ka nxjerrë jashtë rruge. Nuk e prisja që mbas Kakasë të merrnin Kristiano Ronaldon, - ka vazhduar Morati. - Benzema? Eshtë e vërtetë se shikojmë të tjerët për të kuptuar se cilat janë vlerat e merkatos. Por tani politika jonë është të mbajmë ata që kemi. Skuadra është shumë e mirë dhe deri tani i kemi bërë dy blerje të rëndësishme. Ndoshta do të vijë edhe një mbrojtës i mirë”. Numri një i Interit, më pas i është rikthyer çështjes Maikon: “Eshtë një lojtar i shkëlqyer, nëse duhet shitur kjo gjë duhet të ndodhë pasi të vijë një ofertë e përshtatshme, është një nga mbrojtësit e krahut më të mëdhenj të historisë së futbollit. Dhe ky fakt nuk të shtyn ta shesësh”. Nuk të shtyn, por ndoshta duhet bërë, të paktën, në bazë të fjalëve të lojtarit, që vazhdon të mos përjashtojë një transferim drejt Madridit (në Brazil flitej se disa emisarë të Realit kanë shkuar në Afrikën e Jugut për të nënshkruar kontratën): “Kam një kontratë me Interin deri në vitin 2013-të, pas Kupës së Konfederatave do të shohim se çfarë do të ndodhë, - ka thënë Maikon. - Nuk di asgjë për Realin, askush nuk ka folur me mua”. Ndërkohë, Deko thërret Mourinjon, i cili nga ana e tij e ka elozhuar në distancë bashkëkombasin (”Do të isha shumë i kënaqur nëse do të rikthehesha të punoja me të, një lojtar me të cilin kam fituar shumë”): “Ne po ndjekim Dekon, sepse po ndjekim një dëshirë të trajnerit dhe jam i kënaqur që Deko ka bërë të ditur se i pëlqen Interi. Gjithsesi, asgjë nuk është mbyllur, po punojmë që operacioni të zhvillohet në mënyrën e duhur”, ka përfunduar Morati.